E Diel, 1 Nëntor 2026

Toka shtetërore, Kuvendi miraton projektligjin

Kuvendi ka miratuar me 71 vota pro dje projektligjin Për taksën mbi të drejtën e përdorimit të truallit shtetëror. Kuvendi ka dëgjuar dje relacionet e anëtarëve të Komisionit të Ligjeve dhe atij të Ekonomisë dhe vërejtjet e tyre, të cilat janë miratuar në seancë. Ky projektligj u debatua gjatë në Komisionin e Ligjeve. Deputetët e mazhorancës ngritën problemin për legalizimin e këtyre tokave shtetërore me një çmim më të lartë se të individëve që legalizojnë ndërtimet e tyre informale, çka sipas deputetit Aldo Bumçi, ishte krejt e padrejtë. Ndërkohë që një tjetër shqetësim i ngritur ishte dhe e drejta e ish-pronarëve, çka nuk u pranua nga Komisioni i Ligjeve. Në bazë të këtij ligji, kush përdor tokën shtetërore duhet ta blejë atë, ose duhet të paguajë taksën vjetore prej 10 për qind të vlerës së truallit. Në të kundërt, do të zbatohen sanksione. Vjelja e taksës mbi të drejtën e përdorimit të truallit shtetëror e kanë drejtoritë rajonale të tatimeve. Nëse një subjekt vendor kërkon të blejë truallin që ka pasur në përdorim nëpërmjet pagesës së menjëhershme të vlerës, ai përfiton dhe një sërë lehtësirash. Në rast se kërkesa për pagesë të menjëhershme bëhet brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e ligjit dhe kjo pagesë realizohet brenda 30 ditëve nga data e pajisjes me autorizimin për kalim pronësie trualli, individët përfitojnë një ulje prej 20 për qind të vlerës dhe 20 për qind të vlerës së mbetur mund të paguhet me bono privatizimi. Po dje Kuvendi ka miratuar dhe kandidaturën e Irma Barakun si komisionere për Mbrojtjen nga Diskriminimi, ndërsa kandidaturën e Altin Shoshës si Avokat i Prokurimeve, si dhe projektligjet "Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Austrisë, për ndihmën e ndërsjelltë në raste katastrofash ose fatkeqësish të mëdha" dhe ai "Për ratifikimin e marrëveshjes së huasë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), për financimin e projektit të rrugëve rajonale dhe lokale".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›