E Enjte, 5 Nëntor 2026

Ambasadori rus në Britani: Moska nuk do të përdorë armë bërthamore taktike në Ukrainë

Ambasadori rus në Britani ka deklaruar se vendi i tij nuk do të përdorë armë taktike bërthamore në luftën kundër Ukrainës.

Andrei Kelin tha në një intervistë për BBC se sipas rregullave ushtarake ruse, armë të tilla nuk përdoren në konflikte si ky.

Rusia ka dispozita shumë strikte për përdorimin e tyre, tha ai, kryesisht kur rrezikohet ekzistenca e shtetit.

“Kjo nuk ka të bëjë me operacionin aktual“, u shpreh ai.

Kur Vladimir Putin vendosi forcat e tij bërthamore në gatishmëri të lartë në fund të shkurtit, menjëherë pas pushtimit, u perceptua gjerësisht si një paralajmërim.

Armët bërthamore taktike janë ato që mund të përdoren në distanca relativisht të shkurtra, në krahasim me armët bërthamore “strategjike” të cilat mund të lëshohen në distanca shumë më të gjata dhe të ngrenë spektrin e luftës bërthamore gjithëpërfshirëse. Rusia mendohet të ketë rreth 2000 armë bërthamore taktike.

Ambasadori mohoi gjithashtu se forcat ruse po bombardonin civilët dhe tha se pretendimet për krime lufte në qytetin e Bucha ishin një “fabrikim”.

“Asgjë nuk po ndodh, nuk ka trupa në rrugë. Për ne është një trillim. Përdoret vetëm për të ndërprerë negociatat”, tha Kelin./ BBC

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›