E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ambasadori rus në OKB: Në mes të janarit mund të arrihet kompromisi

Çurkin ka theksuar se, nga mesi i janarit i vitit që po vjen, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të mblidhet edhe një herë për statusin e Kosovës
 
Rusia po bën tratativa në gjetjen e kompromisit mes Kosovës dhe Serbisë. Kështu ka thënë Ambasadori rus në Kombet e Bashkuara, Vitali Çurkin, i cili ka njoftuar se deri në mes të janarit Rusia do të mund të përgatisë disa prej elementëve bazë që do të shërbenin për të shtruar rrugën e një kompromisi midis Serbisë dhe Kosovës, për zgjidhjen e statusit.
Sipas agjencisë së lajmeve, RTK, Çurkin ka theksuar se, nga mesi i janarit i vitit që po vjen, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të mblidhet edhe një herë për statusin e Kosovës.
Pas dështimit të bisedimeve mes serbëve dhe kosovarëve, Rusia ishte një ndër vendet e para që kërkoi sërish negociata mes shqiptarëve e serbëve, gjë që u kundërshtua nga vendet perëndimore, sipas të cilave, nuk kishte më kuptim që çështja e statusit të ardhshëm të Kosovës të negociohej më mes tyre. Rusia më shume se një herë është shprehur për vendosjen e Vetos në Këshillin e Sigurimit të OKB, në rast se këto të fundit njohin pavarësinë e Kosovës.
Gjithsesi, liderët kosovarë janë shprehur për pavarësinë e njëanshme të Kosovës dhe këtë, të koordinuar me aleatët e tyre perëndimorë.
Kjo gjë ka acaruar së tepërmi Serbinë, e cila është shprehur se do të marrë masa juridike ndaj Kosovës në rast se ajo shpall pavarësinë e njëanshme. Në mbledhjen e fundit të KS-së në OKB u vendos që çështja e Kosovës të lihet në duart e BE-së, e cila së shpejti do të nisë zëvendësimin e forcave shumëkombëshe, UNMIK, me EUMIK. EUMIK, parashikohet të jetë një mision ndërkombëtar civil dhe aspak ushtarak.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›