Besimtarët e Krishterë, festë për Lindjen e Krishtit
Mijëra besimtarë janë mbledhur dje në Kishën Ortodokse dhe Katedralen e Shën Palit, në kryeqytet, për të ndjekur ceremoninë
Lindja e Krishtit është festuar dje nga mijëra besimtarë katolikë dhe ortodoksë. Kështu kisha Ortodokse dhe Katedralja e Shën Palit, në kryeqytet, kanë mbledhur dje besimtarët për të ndjekur ceremoninë e kremtimit të lindjes së Krishtit. Besimtarët janë lutur për më shumë paqe dhe mirëqenie në këtë ditë të shënuar. Ky moment konsiderohet si ndër më të rëndësishmit për besimtarët katolikë, pas Pashkëve, pasi tashmë Jezusi lindi për t'i shpëtuar ata. Ndërkohë edhe drejtues të lartë të shtetit kanë dhënë urimet e tyre në ditën e Krishtlindjeve.
Festa
Lindja e Krishtit u festua dje nga besimtarët edhe në vendin tonë. Në Kishën Ortodokse festimet për lindjen e Krishtit kanë nisur në orën 6 të mëngjesit. Qindra besimtarë janë mbledhur në Kishën Ortodokse në Rrugën e Kavajës, ku kanë ndjekur ritet fetare me këtë rast. Besimtarët janë lutur, kanë ndezur qirinj dhe janë falur, me besimin te Zoti, për një jetë më të mirë. Ritet fetare për ortodoksët kanë vazhduar gjatë gjithë ditës së djeshme. Ndërsa mijëra besimtarë katolikë kanë festuar në mesnatë lindjen e Krishtit, të mbledhur në Katedralen e Madhe të Shën Palit në kryeqytet. Besimtarët katolikë kanë ndjekur me këtë rast ceremoninë e drejtuar nga Monsinjor Rrok Mirdita, në orën 12.00, i cili u ka uruar njerëzve paqe dhe mbarësi. "Gjej rastin të shpreh kënaqësinë që ndiej për urtësinë e popullit shqiptar, që nuk i ka parë dallimet fetare si arsye ndarjeje, por secili komunitet ka ditur të respektojë ndjenjat fetare të njëri-tjetrit dhe të gjithë shqiptarët shohin te kërkimi i Zotit, urën e bashkëpunimit miqësor dhe vëllazëror. Për shumë vjet Krishtlindjet dhe Gëzuar Vitin e Ri 2008",- iu është drejtuar Monsinjor Rrok Mirdita, besimtarëve katolike në këtë krishtlindje. Momenti i lindjes së Krishtit konsiderohet shumë i rëndësishëm për besimtarët e krishterë, ndaj dhe kjo festë është e bekuar për ta. Ndërkohë disa nga besimtarët nuk kanë lënë mënjanë as dhuratat për të afërmit e tyre. Por ka pasur edhe nga ata që festën e kanë përcjellë vetëm me urime te ngrohta, pasi blerja e dhuratave nuk është mundësuar për shkak të çmimeve të larta dhe varfërisë. Ndërsa Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Anastas, në meshën e mbajtur dje në orët e para të mëngjesit, iu drejtua besimtarëve me fjalët: "Këto ditë të shenjta, vëllezër dhe motra, le të mendojmë më me kujdes për bërthamën e festës së Krishtlindjeve. Me ardhjen e Tij në botë Krishti zbuloi "Mishëroi" dashurinë e përjetshme të Perëndisë. Le t'i shtojmë përpjekjet për të rregulluar qëndrimin dhe sjelljen tonë të përditshme sipas kësaj të vërtete".
Urimet
Festa e mirësisë dhe paqes është uruar dje edhe nga drejtues të lartë të shtetit. Kështu Presidenti i Republikës, Bamir Topi duke uruar të gjithë besimtarët e krishterë, ka pohuar se shqiptarët e kanë për kënaqësi të festojnë festat e njëri-tjetrit në harmoni të plotë fetare. Gjithashtu edhe kryeministri Berisha ka uruar nga Korça të gjithë besimtarët për festën e Krishtlindjeve. Ndërkohë edhe nga kampi i të majtëve kanë ardhur urimet për këtë festë. Kështu kryetarja e grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj dhe Kryetari i Asamblesë Kombëtare të kësaj partie, Gramoz Ruçi, uruan dje të gjithë besimtarët e krishterë me rastin e festës së Krishtlindjeve, në këtë ditë të paqes dhe harmonisë. "Në këtë ditë të shënuar shpreh urimet më të mira për besimtarët ortodoksë dhe katolikë dhe për të gjithë shqiptarët. Shqiptarët i festojnë bashkë festat, pavarësisht përkatësisë fetare. Ndaj gjej rastin t'i uroj të gjithë, kudo që janë: Shëndet, Gëzim, Paqe e Harmoni për të cilën Shqipëria ka nevojë",- vlerësuan përfaqësuesit e PS-së.
Krishtlindjet, Papa Benedikti XVI uron në shqip
Për shumë vjet Krishtlindjet! Ky ka qenë urimi në shqip që Papa Benedikti XVI u ka drejtuar besimtarëve të Krishterë nga Vatikani. Në një mesazh drejtuar qeverive të botës, Papa Benedikti XVI ka apeluar për paqe në botë, sidomos në Tokën e Shenjtë. Kështu, Papa ka uruar dje nga selia e Vatikanit në 63 gjuhë të ndryshme, ndër të cilat ka qenë edhe gjuha shqipe. Madje në meshë, për herë të parë, ka uruar për paqe dhe mirësi edhe në gjuhën indiane. Papa Benedikti XVI nuk ka lënë mënjanë të hedhë mesazhin për paqe edhe në Ballkan. Në mesazhin e drejtuar qeverive të Botës, Papa Benedikti XVI ka apeluar për paqe në botë.
Krishtlindjet bashkojnë pozitën dhe opozitën
ELBASAN- E vetmja festë kur kanë qenë të gjithë bashkë, përfaqësues të dy forcave politike opozitare dhe të partive të tjera, ka qenë Krishtlindja. Në pritjen e zhvilluar nga Kisha Katolike Shën Piu I X, është përcjellë mesazhi i paqes dhe dashurisë jo vetëm nga famulltari i kësaj kishe, Emilio Valente, por edhe nga deputetë dhe drejtues të pushtetit lokal. Këtë herë kanë qenë përballë kryetari i Bashkisë, Qazim Sejdini dhe deputeti i PD, Aurel Bylykbashi, dy rivalë të vjetër që i kanë uruar besimtarëve të krishterë Krishtlindjet, në të vetmen ditë që kanë qenë bashkë. Ndërkohë në Kishën Shën Maria në Lagjen Kala, mesha e Krishtlindjeve si çdo vit ka qenë në gjuhën shqipe dhe famulltari i kësaj kishe, At Nikolla Marku ka vazhduar të predikojë duke ngritur lart çështjen kombëtare, si dhe duke cilësuar armik të shqiptarëve Kryepeshkopin Janullatos.