E Diel, 1 Nëntor 2026

Ambasadorja Gjonbalaj mori pjesë në audiencën e Papës Francesku

Në vazhdën e përpjekjeve të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Ambasadës së Republikës së Kosovës në Romë për përafrim me Selinë e Shenjtë, ambasadorja e Republikës së Kosovës, Bukurije Gjonbalaj, u prit në audiencë nga Ati i Shenjtë Papa Francesku.

Ambasadorja Gjonbalaj në emër të popullit të Kosovës e falënderoi Papa Franceskun për nderin dhe i dhuroi truporen e Zojës së Cernagorës nga Letinca, duke i shpjeguar Atit të Shenjtë rëndësinë që ka kjo Zojë për popullin e Kosovës dhe që pati për vetë Nënën Terezë në thirrjen e saj për murgeshë.

Më tutje, ambasadorja Gjonbalaj i prezantoi Atit të Shenjtë faktet rreth prezencës shekullore dhe të vazhdueshme të komunitetit kroat si dhe komuniteteve tjera pakicë në Kosovë, si dëshmi e gjallë e tolerancës dhe e bashkëjetesës paqësore ndërfetare dhe ndëretnike gjatë shekujve.

Duke folur për afërsinë e ngushtë të Selisë së Shenjtë karshi Kosovës qysh prej fillim viteve të 90-a e deri në ditët e sotme, përveç tjerash ambasadorja e Kosovës tha:
“Pavarësia e Kosovës është e njohur nga më shumë se 100 shtete dhe se zbrazëtia që krijon mosprezenca dhe mosnjohja e Kosovës nga ana e Selisë së Shenjtë tek populli e sidomos te rinia e Kosovës, e cila ka nevojë që nëpërmjet njohjes të ketë ndjenjën e barazisë dhe përqafimit të drejtë dhe të merituar si nga ligjet tokësore dhe ato qiellore, të popujve dhe vendeve tjera në familjen e njerëzimit.”

Duke pasur parasysh këto argumente, ambasadorja Gjonbalaj në fund kërkoi nga Ati i Shenjtë bekimin e tij dhe njohjen e Kosovës si shtet i pavarur e sovran dhe si model stabiliteti dhe paqeje në rajon dhe më gjerë. /Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›