E Diel, 1 Nëntor 2026

Ambasadorja Holtkemper: Zgjedhjet e qershorit ishin më të mirat

TIRANË- Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, priti sot në një takim lamtumire, Ambasadoren e Jashtëzakonshme dhe Fuqiplotë të Republikës Federale të Gjermanisë, Carola Müller-Holtkemper, në përfundim të misionit të saj diplomatik në Shqipëri.

Me këtë rast Presidenti Nishani përsëriti mirënjohjen e tij ndaj Gjermanisë për ndihmesën e vazhdueshme të dhënë përmes zërit të saj të fortë në mbështetje të zhvillimit të demokracisë dhe ndërtimit të shtetit ligjor, anëtarësimit në NATO, realizimit të lëvizjes së lirë të qytetarëve shqiptare në zonën Shengen dhe në ecurinë e Shqipërisë për realizimin e objektivit të saj strategjik, integrimit në BE.

Kreu i shtetit e përgëzoi Ambasadoren Müller për kontributin e saj, veçanërisht në forcimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit mes dy popujve dhe vendeve tona mike, të cilat, nga pikëpamja e bashkëpunimit institucional, kulmuan me vizitat e Ministrit të Jashtëm Gjerman, Westerwelle, në Shqipëri dhe vizitës së Presidentit Nishani në Gjermani.

Ambasadorja Müller, duke falenderuar Kreun e Shtetit për mbështetjen dhe bashkëpunimin e ofruar, gjatë misionit të saj në Tiranë, u shpreh e keqardhur për largimin nga Shqipëria dhe e lumtur njëkohësisht, sepse zgjedhjet e zhvilluara në fund të mandatit të saj, ishin më të mirat.

Kryediplomatja gjermane shtoi se, përveç zgjedhjeve, ka edhe probleme të tjera të hapura për Shqipërinë, për të cilat, ajo shprehu besim se Qeveria e re do t`i përballojë nëpërmjet zbatimit të Programit të saj.

Presidenti Nishani, shprehu mbështetjen e plotë ndaj shumicës dhe pakicës politike të dala nga zgjedhjet, secila në rolet përkatëse dhe e siguroi për bashkëpunimin e tij institucional me aktorët politikë, rolin e tij si garantues i kushtetutës dhe funksionimit të institucioneve të pavarura.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›