E Enjte, 5 Nëntor 2026

Ambasadorja Kim reagon pas dënimit të Llallës: Të goditen zyrtarët, pavarësisht sa të fuqishëm janë

Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit, për të dënuar përfundimisht me 2 vite burg, ish-kryeprokurorin, Adriatik Llalla. Diplomatja e SHBA nxiti prokurorët që të ndërmarrin veprime kundër zyrtarëve, pa marrë parasysh sa të lartë apo të fuqishëm janë ata.

“Është mirë të shihet drejtësia e vënë kundër zyrtarëve të korruptuar. Prokurorët duhet të vazhdojnë të ndërmarrin veprime kundër zyrtarëve, pa marrë parasysh sa të lartë apo të fuqishëm janë, të cilët keqpërdorin pozitën e tyre për t’u pasuruar. Askush nuk është mbi ligjin”, shkruan Kim.

Kujtojmë se Adriatik Llalla, prej shkurtit 2018 është “non grata” në SHBA, pasi DASH i ka ndaluar hyrjen në SHBA atij dhe familjarëve. Veç dënimit me dy vjet burg, Gjykata vendosi edhe konfiskim të pasurive, gati 22 mijë metra katrorë truall dhe një apartament në Durrës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›