E Enjte, 5 Nëntor 2026

Ambasadorja Kim, takim në Presidencë me Metën, Ramën, Bashën, Çuçin dhe Peleshin

Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim, ka shkuar pasditen e sotme në Presidencë, ku do të zhvillojë një takim me kreun e Shtetit, Ilir Meta, kryeministrin Edi Rama, kreun e PD Lulzim Basha, si dhe ministrat Niko Peleshi e Bledi Çuçi. Nuk dihen ende detaje nga ky takim, që mund të konsiderohet edhe si mbledhje e Këshillit të Sigurisë Kombëtare në një format më të ngushtë, por ai vjen në prag të fillimit të një prej stërvitjeve më të mëdha të ushtrisë amerikane në Evropë, “Defender Europe 21”, e cila do të zhvillohet në Shqipëri.

Për të parë nga afër përgatitjet, vendin tonë po e viziton zëvendëskomandanti i Ushtrisë amerikane në Evropë dhe Afrikë, gjeneralmajor Joseph F. Jarrard, i cili u prit në një takim nga ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi. Gjenerali amerikan mendohet te jetë i pranishëm në Presidencë.

Në stërvitjen “Defender Europe 21”, do të marrin pjesë rreth 6000 trupa dhe qindra mjete ushtarake nga SHBA, Shqipëria dhe vendeve të tjera aleate dhe do të zhvillohet në bazat kryesore ushtarake të vendit tonë gjatë muajit maj të këtij viti. Do të jetë një stërvitje e drejtuar nga Ushtria e SHBA në Evropë dhe do të përfshijë rreth 26 vende të ndryshme, në total rreth 30 mijë trupa. 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›