E Diel, 1 Nëntor 2026

Ambasadorja Suard: Franca dhe Shqipëria ndajnë ambicien e përbashkët, një Evrope të ribashkuar

TIRANË, 15 korrik/ATSH/ Ambasadorja e Francës në Shqipëri, Catherine Suard ka zhvilluar mbrëmjen e djeshme një pritje zyrtare në Vilën 31 me rastin e Ditës Kombëtare të Francës.

Në këtë event merrnin pjesë Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, zv.kryeministrja Albana Koçiu, ministra, deputetë, ambasadorë të akredituar në vendin tonë, përfaqësues të komunitetit fetar, nga media dhe shoqëria civile.

Në fjalën e saj, ambasadorja franceze, Suard theksoi mbështetjen e Francës për integrimin evropian të Shqipërisë. “Franca ka besim në aftësinë e Shqipërisë për të ruajtur ritmin e reformave dhe për ta përmbyllur sa më shpejt procesin e integrimit evropian”, deklaroi ambasadorja, duke përshëndetur përparimin e bërë në negociatat me BE-në dhe mbylljen e tre kapitujve të parë.

Sipas saj, Franca do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë në diskutimet për zgjerimin e Bashkimit Evropian, pasi të dy vendet ndajnë “ambicien e përbashkët të një Evrope të ribashkuar”.

Duke u ndalur te marrëdhëniet dypalëshe, të cilat i cilësoi si në nivelin më të lartë historik, diplomatja franceze përmendi si shembuj konkretë krijimin e Institutit Francez “KubFranceTirana”, hapjen e Ecole42, transformimin e Vilës 31 në rezidencë ndërkombëtare artistësh dhe kampusin e Universitetit të Teknologjisë së Compiègne në Universitetin Politeknik të Tiranës.

Ambasadorja theksoi se një nga projektet më të rëndësishme të viteve të ardhshme do të jetë hapja në vitin 2027 e Liceut Francez në Korçë. “Ky lice publik do të jetë një investim strategjik për marrëdhëniet franko-shqiptare, për rininë shqiptare në Evropë dhe për Frankofoninë në rajon”, u shpreh ajo.

Suard vuri në dukje edhe rritjen e bashkëpunimit ekonomik, duke theksuar se që nga viti 2020, përmes Grupit AFD janë angazhuar mbi 610 milionë euro në kredi koncesionare dhe grante për projekte në Shqipëri, kryesisht në sektorët e energjisë, mjedisit dhe infrastrukturës.

Diplomatja Suard shtoi se Franca synon të zgjerojë investimet në energjinë e rinovueshme, turizëm, inovacion dhe mbrojtje.

Kryeparlamentari Niko Peleshi ka vlerësuar “miqësinë e fortë mes Shqipërisë dhe Francës, vlerat e përbashkëta të lirisë, barazisë dhe vëllazërisë, si edhe bashkëpunimin e ngushtë në rrugëtimin europian, zhvillimin dhe fuqizimin e demokracisë në vendin tonë”.

Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu mbajti një fjalë gjatë kësaj ceremoni duke vlerësuar marrëdhëniet dhe bashkëpunimin mes dy vendeve. Ajo theksoi se “Franca është mike e Shqipërisë dhe aleate e rrugëtimit tonë europian”.

Fjala e plotë e ambasadores së Francës në Shqipëri, Catherine Suard:

Është një gëzim i madh dhe nder t’ju mirëpres sonte për të celebruar së bashku Festën Kombëtare Franceze.

Është bërë tashmë një lloj tradite ta ndajmë këtë festë me ju, këtu në kopshtet e Vilës 31.

Dhe do të doja t’u kujtoja atyre që, pasi e sulmuan atë, pretenduan se nuk e dinin destinacionin e saj të ri, se kjo Vilë tani është një rezidencë ndërkombëtare artistësh e menaxhuar nga Fondacioni francez i Art Explora.

Ajo është simboli më domethënës i transformimit të Shqipërisë, ku Franca kontribuon me më të mirën e saj: krijimtarinë, shkëmbimet dhe qarkullimin e ideve.

Por tradita nuk e përjashton të veçantën. Ky edicion i vitit 2026 vendoset natyrshëm nën shenjën e Kupës së Botës të Futbollit, pasi Franca do të luajë në gjysmëfinale pikërisht sonte.

Kjo ngjarje sportive dhe festive do të shënojë mbrëmjen tonë, dhe ju ftoj të bashkoheni me mua për të mbështetur Ekipin tonë kombëtar: “Allez les Bleus!”

Një aspekt tjetër i veçantë i këtij festimi është se Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, po merr pjesë… por në Paris!

I ftuar nga Presidenti i Republikës Franceze, Emmanuel Macron, i cili e ka vendosur paradën tradicionale ushtarake në Champs-Élysées në temën e “zgjimit strategjik të Evropës” dhe  ka dëshiruar të përfshinte anëtarët e Koalicionit të të Vullnetshmëve për Ukrainën.

Kjo flet shumë për vendin që zë sot Shqipëria në Evropë.

Arsyeja pse po e theksoj këtë vizitë në Francë është se ajo pasqyron në mënyrën më të mirë dy dimensionet e ndërlidhura të marrëdhënies sonë me Shqipërinë: dimensionin evropian dhe dimensionin dypalësh.

Dimensioni i parë, i cili orienton të gjithë punën tonë, është mbështetja jonë e vazhdueshme dhe e vendosur për procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.

Në këtë drejtim, Konferenca Ndërqeveritare (IGC) e 26 majit, e cila nënvizoi përmbushjen e kritereve të ndërmjetme të Grup Kapitullit “Themelorët”, përfaqëson një etapë të rëndësishme të përshkuar nga Shqipëria.

Siç e dini, në këtë etapë, Franca mbështeti vlerësimin e Komisionit Evropian dhe kërkoi të mbahej një qëndrim i ekuilibruar, ku të ruhej rigoroziteti, koherenca dhe besueshmëria e procesit.

Dhe siç e përsëriti Presidenti i Republikës gjatë vizitës së Kryeministrit në Paris më 22 qershor, Franca ka besim në aftësinë e Shqipërisë për të ruajtur ritmin e reformave. Ajo ka besim në zbatimin e tyre efektiv, të dëshmuar me rezultate të prekshme dhe të qëndrueshme. Ajo ka besim në përfundimin e këtij procesi sa më shpejt të jetë e mundur.

Kjo është arsyeja pse jam e kënaqur (edhe pse kjo nënkupton se nuk kemi këtu disa ministra) që sot në Bruksel po mbahet një IGC e re që do të konfirmojë mbylljen e tre kapitujve të parë: 25 (shkenca dhe kërkimi shkencor), 26 (kultura dhe arsimi) dhe 30 (marrëdhëniet me jashtë). Kjo dinamikë duhet të vazhdojë.

Për mbështetjen e këtij procesi, si dhe në diskutimet e tanishme mbi zgjerimin, ju e dini që do të keni mbështetjen tonë të vazhdueshme, sepse Franca dhe Shqipëria ndajnë ambicien e përbashkët të një Evrope të ribashkuar.

Dimensioni i dytë, ai që mobilizon çdo ditë të gjithë Ekipin e Francës, që e përshëndes me mirënjohje, dhe shumë partnerë shqiptarë të pranishëm sonte, të cilët dua t’i falënderoj, është natyrisht marrëdhënia jonë dypalëshe.

Jam veçanërisht krenare që ajo ka arritur një nivel të paprecedentë në vitet e fundit me nxitjen e autoriteteve tona më të larta.

Dua të theksoj këtu suksesin e projekteve të shumta të iniciuara gjatë vizitave të tyre përkatëse: krijimi i Institutit tonë francez “KubFranceTirana”, vendosja e Ecole42, hapja e Vila31 dhe po këtë vit, hapja e kampusit të ri të Universitetit të Teknologjisë së Compiègne (UTC) brenda Universitetit Politeknik të Tiranës (UPT).

Por ajo që ka qenë e rëndësishme në muajt e fundit është intensiteti i shkëmbimeve në nivel politik: përveç Kryeministrit, dy ministra shqiptarë (Ekonomisë dhe Arsimit) dhe Kryetari i Parlamentit kanë vizituar Francën që nga fillimi i vitit; dy ministra francezë (Tregti e Jashtme dhe Drejtësi) dhe dy delegacione nga Komisionet e Çështjeve Evropiane të Senatit dhe Asamblesë Kombëtare kanë vizituar Tiranën gjatë së njëjtës periudhë.

Pa harruar vizitën e pak ditëve më parë të ish-Presidentit François Hollande, i ftuar nga studentët francezë të Kolegjit e Evropës në Tiranë për mbylljen e vitit akademik.

Përtej vëmendjes politike që shpreh, ky intensifikim mundëson ecjen përpara konkrete; si për shembull kontributi ynë në rishikimin e kodeve penale, mbështetja e BpiFrance për startup-et shqiptare, ose hapja e një Business Continuity Center për sigurinë e shërbimeve digjitale të qeverisë shqiptare.

Ky intensifikim shumëfishon gjithashtu numrin e aktorëve në marrëdhëniet tona, duke përfshirë parlamentarët dhe autoritetet lokale.

Në këtë kuadër, do të doja të përshëndesja “Sezonin Shqiptar” të organizuar nga qyteti i Chambéry rreth ekspozitës së ikonave të famshme të Korçës, dhe pritjen në Francë të kryetarëve të bashkive të Beratit, Durrësit, Elbasanit dhe Korçës për të diskutuar mbi sfidat e qeverisjes vendore.

Kjo lidhje e fortë territoriale tregon qëndrueshmërinë e marrëdhënieve tona dypalëshe.

Kjo qëndrueshmëri është gjithashtu rezultat i angazhimit të Grupit AFD – veçanërisht në fushat e mjedisit dhe energjisë, si në mbështetjen e reformave ashtu edhe në zbatimin e projekteve të investimeve.

Që nga fillimi i punës të tij në vitin 2020, më shumë se 610 milionë euro janë angazhuar tashmë në kredi koncesionare dhe grante të BE-së të deleguara AFD-së.

Ambiciet tona për muajt e ardhshëm janë të mëdha.

Ne dëshirojmë të zhvillojmë më tej investimet tona në energjitë e rinovueshme, bashkëpunimet tona në sektorët e turizmit dhe inovacionit, dhe të luajmë rolin tonë të plotë në projektet e infrastrukturës dhe shërbimeve të nevojshme për konvergjencën evropiane, pa harruar pajimet e mbrojtjes për të kontribuar në sigurinë tonë kolektive.

Dhoma jonë e Tregtisë dhe Industrisë Francë – Shqipëri (CCIFA), së bashku me bizneset dhe operatorët tanë ekonomikë, të cilët i falënderoj gjithashtu për kontributet e tyre në këtë festë, janë gati për këto zhvillime të reja dhe ne do t’i mbështesim ato.

Por nuk mund ta përfundoj këtë përmbledhje të zhvillimeve të ardhshme në marrëdhëniet tona dypalëshe pa përmendur projektin e më domethënës: hapjen në vitin 2027 të Liceut të ri Francez në Korçë.

Ky lice, publik, me vokacion kombëtar dhe rajonal, shumëgjuhëshe dhe e orientuar drejt shkencës, që do japë dy diploma të shkollës së mesme, Baccalauréat dhe Matura shtetërore, përbën një investim strategjik.

Një investim për jetëgjatësinë e marrëdhënieve franko-shqiptare, për rininë shqiptare në Evropë dhe për Frankofoninë në rajon.

Përveç angazhimit të autoriteteve tona më të larta dhe bashkëpunimit shembullor të ekipeve arsimore, të cilat dua t’i përgëzoj, ky lice do të njohë përpjekjet dhe do të nxisë ambiciet e atyre që mbështesin gjuhën frënge në Shqipëri sot: mësuesit e frëngjishtes dhe degët e Aleancës Franceze. Shumë faleminderit atyre!

Kështu, siç mund ta shihni, Franca është këtu në Shqipëri ajo që është kudo tjetër në botë: një aktor i përkushtuar, i vendosur, i besueshëm, i parashikueshëm, solidar dhe nismëtar.

Franca sjell këtu në Shqipëri vlerat dhe bindjet që ajo mbështet në Evropë dhe në të gjitha frontet e kësaj bote të trazuar.

Qoftë kur bëhet fjalë për qëndrimin e saj të palëkundur ndaj ligjit ndërkombëtar, sovranitetit dhe multilateralizmit.

Qoftë kur bëhet fjalë për mbështetjen e saj e vazhdueshme për Ukrainën përballë luftës së agresionit të zhvilluar nga Rusia, ose për mobilizimin e saj për një zgjidhje me dy shtete në Lindjen e Mesme, apo akoma për të garantuar lirinë e lundrimit.

Qoftë kur bëhet fjalë për promovimin e autonomisë strategjike evropiane, siç ajo po e bën brenda NATO-s.

Qoftë kur bëhet fjalë për të kontribuuar në përballjen me sfidat e ndryshimeve klimatike dhe inovacionit teknologjik, apo me zbutjen e pasojave të çekuilibrave globale dhe nxitjen e zhvillimit njerëzor, siç ajo po e bën në të gjitha forumet ndërkombëtare, dhe veçanërisht brenda kuadrit të kryesisë  së saj aktuale të G7.

Së fundmi, ekziston një fushë në të cilën Franca synon të veprojë, si në Francë ashtu edhe në Shqipëri, në Evropë dhe në mbarë botën: “beteja e narrativave”, nëse i referoheni fjalëve të përdorura nga Ministri ynë i Evropës dhe Punëve të Jashtme, Jean-Noël Barrot.

Hapësira gjeopolitike nuk është më thjesht ajo e territoreve, deteve, apo edhe vetë hapësirës, ​​por është ajo e perceptimit, narrativës dhe projeksionit.

Konvergjenca e internacionales reaksionare, privatizimi i platformave dhe inteligjenca artificiale gjeneruese u ofrojnë një jehonë të paparë përmbajtjeve që nuk kanë më për qëllim të informojë, por të shtrembërojë, manipulojë dhe krijojë një narrativë dominuese, të kundërt me atë të një vendi si Franca, me atë të një qytetërimi humanist evropian të formësuar gjatë shekujve nga filozofia, shkenca, artet dhe e drejta.

Nëse Franca dhe Evropa janë nën sulm sot, kjo nuk është rastësi.

Kjo ndodh sepse ato mishërojnë një ide të caktuar të lirisë, të të gjitha lirive; sepse ato mbrojnë një ide të caktuar të së drejtës, të dinjitetit njerëzor, të demokracisë.

Edhe në këtë betejë, Franca ka zgjedhur të mos nënshtrohet, të mos dorëzohet. Ajo po pajiset me strategji, burime dhe mjete, të cilat është gati t’i ndajë dhe t’i forcojë me evropianët e tjerë.

Albert Kamy ka thënë: “Në fund të kësaj errësire, ka një dritë të pashmangshme, të cilën tashmë e perceptojmë dhe për të cilën duhet vetëm të luftojmë për ta sjellë.”

Ne duhet ta ushqejmë këtë dritë të pashmangshme, atë të Francës dhe të Evropës, duke shkruar së bashku historinë tonë.

Ju faleminderit!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›