Këshilli i Ambasadorëve dënon deklaratën e ministres serbe: Shqipëria të ngrejë çështjen pranë BE dhe NATO

TIRANË, 15 korrik/ATSH/ Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë dënon me vendosmëri deklaratat e fundit të ministres së Qeverisë së Serbisë, Snezhana Paunoviç.
Në një reagim, Këshilli i Ambasadorëve thekson se këto deklarata “rikthejnë në diskurs koncepte që lidhen me spastrimin etnik të shqiptarëve. Kjo retorikë bie ndesh me vlerat evropiane dhe rrezikon stabilitetin rajonal”.
Këto deklarata pasojnë një sërë qëndrimesh që relativizojnë politikat e së kaluarës dhe ngrenë shqetësime se Serbia nuk është distancuar plotësisht nga ideologjia që solli luftëra dhe krime në ish‑Jugosllavi. KASH rikujton edhe diskriminimin ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës, përfshirë pasivizimin masiv të adresave, qe konsiderohet një genocid modern”, thuhet në reagimin për mediet.
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë rithekson se “pavarësia e Kosovës është një realitet i pakthyeshëm. Shqipëria duhet të reagojë përmes një demarshi diplomatik ndaj ambasadës serbe ne Tiranë dhe, në koordinim me Kosovën, ta ngrejë çështjen pranë BE-së, NATO-s dhe partnerëve strategjikë”.
“Ballkani ka nevojë për lidership të përgjegjshëm, respekt për të drejtën ndërkombëtare dhe fqinjësi të mirë, jo për rikthimin e gjuhës së urrejtjes”, theksohet në deklaratë.