E Diel, 1 Nëntor 2026

Përfundon zbatimi i amnistisë penale, 533 të dënuar përfituan lirim të menjëhershëm

TIRANË, 15 korrik /ATSH/ Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve përfundoi sot procesin e zbatimit të amnistisë penale në të gjitha Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP), pas ndërmarrjes së të gjitha procedurave administrative dhe ligjore të nevojshme për garantimin e një zbatimi të njëtrajtshëm në të gjithë vendin.

Procesi u zhvillua në koordinim të plotë me të gjitha institucionet penitenciare, duke respektuar me rigorozitet kriteret dhe procedurat e përcaktuara në ligj.

Drejtoria e Burgjeve njoftoi se sipas të dhënave përfundimtare të raportuara nga IEVP-të, 553 persona të dënuar përfituan lirim të menjëhershëm, ndërsa 863 persona të dënuar përfituan zbritje të dënimit.

Zbatimi i amnistisë në të gjitha institucionet penitenciare u përmbyll pa problematika, duke garantuar rendin, sigurinë dhe respektimin e plotë të procedurave ligjore. Strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe të IEVP-ve ishin të angazhuara gjatë gjithë procesit për të siguruar një administrim korrekt dhe transparent të çdo rasti.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve shprehu vlerësimin për angazhimin dhe profesionalizmin e të gjithë punonjësve të sistemit penitenciar, të cilët kontribuan në realizimin me sukses të këtij procesi me rëndësi të veçantë.

/m.q/ /a.g/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›