E Diel, 1 Nëntor 2026

Ambasadorja e Bashkimit Europian De Sousa vlerëson progresin e Shqipërise drejt bashkimit europian: Duhet te vazhdoni me reformat!

Ambasadorja e Bashkimit Europian në Tiranë, Sofia Moreira de Sousa, vlerësoi progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit europian, por theksoi se vendi duhet të vijojë me reformat dhe të shmangë çdo hap pas në rrugën drejt anëtarësimit në BE.

Në fjalën e saj në takimin e 22-të të Komitetit Parlamentar për Stabilizim-Asociimin BE-Shqipëri, ambasadorja e cilësoi këtë një moment të rëndësishëm për procesin e integrimit, duke përgëzuar Shqipërinë për arritjet e fundit në negociata.

Moreira de Sousa u ndal veçanërisht te Konferenca Ndërqeveritare e korrikut, ku Shqipëria mbylli përkohësisht tre kapitujt e parë, që lidhen me arsimin, shkencën dhe marrëdhëniet me jashtë.

“Shqipëria është në një fazë ku anëtarësimi në Bashkimin Europian bëhet një perspektivë gjithnjë e më e prekshme, por kjo është edhe pjesa më e vështirë e procesit të anëtarësimit”, u shpreh ajo.

Ambasadorja nënvizoi se synimi i Shqipërisë për të përfunduar negociatat deri në fund të vitit të ardhshëm kërkon vijimin e reformave në të gjitha fushat që lidhen me anëtarësimin në BE.

“Për të arritur mbylljen e negociatave në fund të vitit tjetër, e cila është ambicia e Shqipërisë, duhet të ruhet ky ritëm. Progresi në negociata kërkon që të kemi progres në të gjitha reformat të cilat lidhen me Bashkimin Europian. Për këtë arsye është e rëndësishme që të mos kemi kthim prapa”, tha Moreira de Sousa.

Duke folur për reformën në drejtësi, ajo vlerësoi ngritjen e institucioneve të pavarura, rikthimin e funksionimit të Gjykatës Kushtetuese dhe përfundimin e procesit të vettingut, duke i cilësuar këto hapa të rëndësishëm për forcimin e shtetit të së drejtës dhe rritjen e llogaridhënies.

Megjithatë, ambasadorja theksoi se reforma në drejtësi nuk përfundon me këto arritje, por kërkon vijimin e punës për konsolidimin e saj dhe garantimin e standardeve të sistemit të drejtësisë.

Ajo përmendi gjithashtu përparimin në fushën e të drejtave të njeriut dhe ndryshimet lidhur me pronësinë në media, duke i cilësuar këto zhvillime si të mirëpritura nga Bashkimi Europian.

Takimi i Komitetit Parlamentar për Stabilizim-Asociimin shërben si një forum për vlerësimin e progresit të Shqipërisë në procesin e integrimit, si dhe për diskutimin e reformave dhe sfidave që vendi ka përpara.

 Sofia Moreira de Sousa: Që jam e vërtetë shumë e kënaqur që jam e pranishme në takimin e 22-të të Komitetit Parlamentar për Stabilizim-Asociimin. Siç e tha zoti Balla në fjalën hyrëse, ky takim në fakt po realizohet në një moment shumë të rëndësishëm për në rrugën e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Është duke u bërë progres, po ka ende shumë punë për të bërë. Fillimisht do të doja të përgëzoja Shqipërinë për progresin që është bërë në integrimin europian, sidomos në lidhje me arritjet e fundit që i përmendi dhe zonja Meki Fino në detaje, por unë do të fokusohesha tek disa gjëra më të rëndësishme. Dhe kjo ka të bëjë me konferencën ndërqeveritare në korrik ku Shqipëria mbylli përkohësisht tre kapitujt e parë në edukim, në shkencë dhe në marrëdhëniet me jashtë. Dhe këto janë me të vërtetë e rëndësishme për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian.

Le të themi që grup-kapitulli i parë për çështjet themelore është hapur dy vjet më parë, mund të shikojmë se procesi ka ecur përpara. Shqipëria është në një fazë ku anëtarësimi në Bashkimin Europian bëhet një perspektivë gjithnjë e më e prekshme, por kjo është dhe pjesa më e vështirë e procesit të anëtarësimit. Në këtë format që jemi mbledhur, me anëtarë të Parlamentit Europian nga njëra anë dhe anëtarë të Kuvendit të Shqipërisë nga ana tjetër, kjo gjë na lejon që të bëjmë një inventar të progresit, por edhe për të diskutuar sfidat që kemi përpara dhe këtu mund të diskutojmë rolin me të vërtetë shumë të rëndësishëm që ka parlamenti për të realizuar një proces anëtarësimi i cili të jetë me të vërtetë i suksesshëm.

Për të arritur mbylljen e negociatave në fund të vitit tjetër, e cila është ambicia e Shqipërisë, duhet të ruhet ky çast. Progresi në negociata kërkon që të kemi progres në të gjitha reformat të cilat lidhen me Bashkimin Europian. Për këtë arsye është e rëndësishme që të mos kemi kthim prapa. Shqipëria ka bërë hapa përpara edhe në reformën në gjyqësor, dhe ka ngritur organe gjyqësore të rëndësishme dhe të pavarura, është rikthyer funksionimi i Gjykatës Kushtetuese, është mbyllur procesi i vetingut dhe të gjitha këto janë të rëndësishme për rritjen e llogaridhënies dhe për forcimin e shtetit të së drejtës. Por kjo nuk është një punë që mbyllet këtu. Puna për konsolidimin e reformës së drejtësisë duhet të vazhdojë duke u fokusuar tek cilësia dhe duke siguruar të gjitha standartet të cilat duhet t’i ketë sistemi i drejtësisë dhe ato të cilat në fakt udhëzuan dhe udhëhoqën edhe sistemin e vetingut dhe këto rezultate duhet të jenë të pakthyeshme. Shqipëria ka bërë hapa përpara edhe për të drejtat e njeriut, ka pasur ndryshime në lidhje me pronësinë në media, në lidhje me pronësinë e mediave pra për të drejtat e njeriut dhe të gjitha këto ndryshime janë të mirëpritura në Bashkimin Europian.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›