E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miniera e vdekjes në Bulqizë, humb jetën një tjetër minator

Viktimat në minierat e kromit në pellgun e kromit Bulqizë-Martanesh, nuk kanë të ndalur. Sot është shënuar viktima e rradhës, e nënta brenda pak muajsh dhe një tjeter minator ka gjetur vdekjen duke punuar në hyrje të pusit nr 2.

Minatori që ka gjetur vdekjen në këtë aksident është Nevruz Gjoka, 43 vjeç. Ndërsa mësohet se shembja ka plagosur rëndë edhe dy të tjerë, nderkohe qe njëri nga minatorët që ngeli nën masivin e kromit ka arritur të mbijetojë dhe është nxjerrë prej andej i gjallë pas 30 minutash kërkimi nga banorët e tjerë dhe policia. Plagët e marra kishin qenë të rënda por fatmirësisht nuk i kanë marrë jetën. Tre të plagosurit janë dërguar në spitalin e Bulqizës dhe mjekët nuk kanë dhënë asnjë deklarim për jetën e tyre.

Nuk dihen ende rrethanat e aksidentit të ndodhur në pusin numër 2 të minierës së Bulqizës ku firma Çeka ushtron aktivitet të licencuar.

Precedenca

Haki Kotja nga Batër Martaneshi ka vdekur para një muaji aksidentalisht në frontin e punës i zënë nga një masiv i rënë përsipër tij dhe ndodhet në morgun e spitalit të Burrelit. 42 vjecari kishte vite që punonte në një nga minierat e Batër Martneshit, sektor ky i privatizuar.

Po në njërin prej këtyre sektorëve të privatizuar para dy muajsh  u shënua dhe një vdekje tjetër nga radhët e minatorëve, kur vdiq 35 vjeçari Përparim Haslika banor po në Krastë të Martaneshit. Edhe ai u zu brenda në galeri nga një masiv material kromi ndërsa po punonte aty.

Sipas minatorëve kushtet e punës në shumë prej galerive të tilla janë krejtësisht të papërshtatëshme duke qenë dhe burim aksidentesh të vijueshme. Janë rreth 35 sektorë të privatizuar që nga viti 1994 në këtë zonë, ndërsa mungojnë kontrollet sistematike për të vëzhguar kushtet dhe sigurinë në punë, kur privatët janë të interesuar vetëm të nxjerrin nga thellësitë e nëntokës sa më shumë mineral kromi.

Edhe para disa vitesh në një minierë të tillë në Klos të Burrelit, po nga mungesa e kushteve të sigurisë në punë gjeti vdekjen një minator. Duket se këto "zgafella" të privatizuara për shfrytëzim minieralit të kromit, janë kthyer në gropa vdekjeje të vazhdueshme për banorët e këtyre anëve të cilët futen duke punuar në kushte të pasigurta për të ushqyer familjet e tyre të varfëra.

PS: Miniera e Bulqizës “Shpellë vdekje”

 “Shpella e vdekjes”, -kështu e ka cilësuar kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama minierën e kromit në Bulqizë, e cila ka marrë jetën e shumë minatorëve. Kryesocialisti ka akuzuar disa herë qeverinë se me paaftësinë e saj për të menaxhuar situatën në këtë minierë, vazhdon ende të marrë jetë njerëzish. “Shpella e vdekjes vazhdon në mënyrë sistematike, të marrë jetë njerëzish, të lërë fëmijë jetimë, të lërë nëna të veja, sigurisht, pa asnjë mbështetje tjetër serioze financiare dhe pa asnjë garanci për të ardhmen e fëmijëve. Ndërkohë që ne besojmë, se është e paperceptueshme, që komunitetet që jetojnë aty ku gjenden këto pasuri, me të cilat bëhet biznes shumë fitimprurës, të mos kenë asnjë të drejtë mbi ato pasuri. Përveçse të jenë të shndërruar në një komunitet skllevërish, burra që ndahen çdo ditë në mëngjes me fëmijët e tyre, me idenë se nuk do të kthehen më dhe një komunitet skllavesh gra, të cilat presin me dorë në zemër nga dera nëse do të vijë apo jo babai i tre, katër, pesë apo gjashtë fëmijëve”, - u shpreh Rama. Gjithashtu ai nuk ka nguruar ta etiketojë atë që po ndodh prej disa muajsh në këtë minierë si pasojë e keq qeverisjes së politikës së vjetër qoftë kjo e djathtë apo e majtë. “Me rrogën mjerane të kësaj pune hipur në shpinën e vdekjes, mbahet gjallë fryma e mijëra e mijëra fëmijëve të Bulqizës, por që për Sali Berishën si përfaqësues i politikës së vjetër dhe qeverisë së tij është një shprehje gjeografike dhe nuk është një realitet ku jetojnë njerëz”, - ka thënë para një muaji kur në këtë minierë humbi jetën minatori Njazi Balliu,  kryesocialisti Rama.

Topi para një muaji në Bulqizë: Do të përmirësojmë kushtet

BULQIZË- Minatorët në Shqipëri do të kenë një status të mirëfilltë që do t'i mbrojë nga aksidentet e shumta në punë por edhe nga kushtet e këqija dhe pagat e ulëta. Premtimi është bërë vetëm para një muaji nga presidenti i republikës Bamir Topi, i cili ka vizituar "minierën e vdekjes". Por viktimat përsëriten megjithë premtimet e qeveritarëve.

Miniera, mundësia e vetme e punësimit në zonë

Miniera është e vetme mundësi punësimi në zonën e Bulqizës. Por vdekjet zinxhir, muaj pas muaji, duket se nuk kanë të sosur në Bulqizë, edhe pse ka pasur protesta të vijueshme për rritjen e sigurisë në punë, dhe kur kjo minierë për disa muaj qëndroi e mbyllur për t’i plotësuar këto kushte, por gjërat nuk po ndryshojnë, për më tepër të ndalen aksidentet permanente. Edhe pse ngjet vdekja e nëntë, ende nuk ka asnjë të ndëshkuar nga gjyqësori shqiptar për këto tragjedi të kthyera në ritual normal në Bulqizë!...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›