E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ambasadorja e Francës: Presidenti të zgjidhet me konsensus të gjerë

TIRANE - Fryma e unitetit, e bashkimit kombëtar dhe jo ndasitë politike duhet të karakterizojë procesin e zgjedhjes së presidentit, që duhet të bëhet qetësisht dhe në respekt të Kushtetutës”. Ky është qëndrimi i Francës në lidhje me temën më të nxehte të politikës në Shqipëri, atë te zgjedhjes së Presidentit të ri të Republikës, i shprehur dje përmes ambasadores Christine Moro, e cila ishte e ftuar në emisionin e mëngjesit “ZIP”, në “Vizion Plus”.

Sipas diplomates, Franca dha shembullin më të mirë të unitetit në këtë aspekt, kur pas humbjes, Sarkozi tha se zoti Hollande është presidenti i të gjithë francezëve dhe duhet respektuar si i tillë. Megjithatë, ajo theksoi se zgjedhja e presidentit mbetet një çështje ekskluzive për vetë shqiptarët. “Komuniteti ndërkombëtar pret që çdo gjë të bëhet me qetësi në bazë të Kushtetutës dhe në respekt të frymës që përfaqëson institucioni i Presidentit të Republikës, i cili pasi zgjidhet duhet të përfaqësojë kombin e tij”, shtoi gjithashtu ambasadorja franceze, Christine Moro.

Diplomatja u ndal gjatë edhe në zgjedhjet e fundit presidenciale në Francë, ndërsa theksoi se kreu i ri i Elizesë nuk pritet të sjellë asnjë ndryshim për sa i përket politikave për Shqipërinë dhe shqiptarët, si edhe prioriteteve të Parisit zyrtar për stabilitetin e gjithë rajonit të Ballkanit dhe integrimit të tij në Bashkimin Evropian. Sipas saj, të vetmet ndryshime që pritet të ndihet do të jenë ato që kanë të bëjnë me politikëbërjen dhe rolin e Francës në Bashkimin Europian dhe veçanërisht në eurozonë.

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›