E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ambasadorja gjermane: Duhet një Kod i ri

Kryediplomatja gjermane në Tiranë, Carola Müller-Holtkemper, deklaroi dje nga qyteti i Korçës se politika shqiptare duhet të gjejë konsensus sa i takon reformave. Në vlerësimin e saj Shqipërisë i duhet një Kod i ri zgjedhor. Ambasadorja e bëri komentin politik për mediat nga Korça, ku ndodhej e ftuar për Festën e Birrës. Duke kërkuar që Shqipëria të ecë para me reformat, Holtkemper u pyet dhe për vlerësimin e zgjedhjeve lokale të 8 Majit. Ambasadorja u shpreh se nuk ka ende në duar asnjë raport të OSBE-së për zgjedhjet lokale shqiptare të 8 Majit, teksa është duke pritur me mjaft interes për këtë raport. “Ende nuk kemi raportin e OSBE-së për zgjedhjet e 8 Majit, ndaj për mua është e vështirë që të konstatoj vullnetin e zgjedhësve shqiptarë. Është kaluar nga numri i plotë, në një të pjesshëm, dhe më tej ka ardhur një rinumërim i votave gjatë këtij proçesi", ka nënvizuar ndër të tjera për këtë argument Holtkemper. Nga ana tjetër ambasadorja theksoi se shqiptarëve iu nevojitet një Kod i Ri Zgjedhor, por për këtë sipas saj duhet një bashkëpunim i domosdoshëm nga ana e të gjithë spektrit politik. “Sipas opinionit tim mendoj se ka qenë e vështirë të kuptohet ky vullnet i zgjedhësve shqiptarë përfundimisht, prandaj aq më shumë është e nevojshme të kemi një Kod të Ri Zgjedhor. Apeli është ai që përsëritet në formën e ripërsëritur, të gurit të mullirit që bluan, për të gjetur konsensus për reforma të cilat do ta shtynin përpara përparimin e Shqipërisë në drejtimin e duhur”, u shpreh ambasadorja.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›