Minatorë- ACR, takimi mbyllet pa marrëveshje
BULQIZË- Takimi mes përfaqësuesve të minatorëve dhe kompanisë ACR ka përfunduar pa një marrëveshje. Pas më shumë se dy orësh bisedime palët nuk kanë mundur të arrijnë një marrëveshje, për ti dhënë fund grevës 19 ditore të 13 minatorëve të Bulqziës.
Menjëherë pas përfundimit të takimit, kreu i Konfederatës së Sindikatave, Kol Nikolli tha se kompania ACR nuk ka pranuar asnjë nga kërkesat e minatorëve.
Me një person të papërgjegjshëm si Giga Bedinishvilli pritej kjo lloj përgjigje negative. Fatkeqësisht ky njeri kërkoi takim në një lokal dhe minatorët e pranuan, por ai në mënyrë të papërgjegjshme nuk pranoi asnjë nga kërkesat e minatorëve tha Nikolla.
Sipas tij greva e minatorëve do të vazhdojë, ndërsa ka apeluar që partitë parlamentare, deputetë madje dhe ndërkombëtare të solidarizohen me minatorët.
***
Një ditë më para minatorët bënë me dije se sot do të presin nga ora 9:00 deri në orën 12:00 përfaqësuesit e ACR-së, që edhe në prani të ministrit të Punës, Spiro Ksera të nëshkruajnë marrëveshjen dhe ti japin fund grevës së urisë.
Në një prononcim për media, Nikolli tha se sot nuk ka asnjë mundësi që të mos nënshkruhet marrëveshja, pasi në media administratori i ACR-së, Giga është shprehur se ka rënë dakord për plotësimin e të gjitha kërkesave.
Ministria e Punës do të jetë si garant ligjor në rast të nëshkrimit të marrëveshjes.
Prej ditësh përfaqësuesit e minatorëve dhe ato të firmës konçesionare ACR, kanë rënë dakord për kushtet e vënë, ndërsa problemi i vetëm ka qenë vendi se ku do të takohen.
ACR ka propozuar që takimet të bëheshin në Tiranë dhe Peshkopi, propozime të refuzuara nga sindikata dhe minatorët. Ata kanë kërkuar që bisedimet të bëhen vetëm në Bulqizë.
Në dy ditët e fundit, familjarë dhe mbështetës të minatorëve kanë protestuar, duke bllokuar edhe rrugën kombëtare që lidh Bulqizën me Tiranën.
Minatoret kërkojne rritje page në masën 20%- 40%, përmirësim të kushteve të punës, uljen e moshës së daljes në pension dhe largimin e përfaqësuesit të kompanisë ACR.