Tavo sulmoi Vasilin: Korrupsion në shëndetësi
Deputeti i LSI-së dhe njëkohësisht nënkryetar i Kuvendit të Shqipërisë, Vangjel Tavo, deklaroi dy ditë më parë se performanca e Ministrisë së Shëndetësisë lë për të dëshiruar. Sipas tij, qytetarët detyrohen të shkojnë në farmaci private për t’u furnizuar me ilaçe, kur është shteti i detyruar që ta sigurojë këtë trajtim falas në spital. “Performanca e Ministrisë që drejtohet nga zoti Vasili është e pakënaqshme, edhe për faktin e vonesës së reformave të domosdoshme në sektorin e shëndetësisë. Është momenti që vetë Vasili të reagojë dhe të përmirësohet gjendja në sektor sa më shpejt të jetë e mundur. Kjo ndodh edhe për shkak të menaxhimit jo të mirë, por e ndërthurur edhe me korrupsionin. Interesat e LSI-së nuk janë të lidhura me interesat e një ministri, apo të ndonjë kushëriri ministri për ndonjë tender ilaçesh, por me interesat e qytetarëve”, këmbënguli Tavo. Dy ditë më parë Tavo insistoi se kritikat e tij ndaj ministrit nuk lidhen me synime të tij për të përfshirë në kabinetin qeveritar “Berisha”. Tavo ishte deputet i Partisë Socialiste deri disa muaj më parë kur deklaroi shkëputjen nga selia rozë dhe bashkimin me Lëvizjen Socialiste për Integrim. Një lëvizje politike që pasoi largimin e ish-ministrit Dritan Prifti nga mazhoranca drejt bllokut opozitar. Deri më tani Tavo ka shfaqur të njëjtin qëndrim me grupin e tij parlamentar, sa i takon votimeve të rëndësishme në Parlament, çka tregon se konsiderohet tanimë i distancuar plotësisht nga Partia Socialiste.