E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ambasadorja zvicerane: Duhet një kompromis

Ambasadorja zvicerane në Shqipëri, Yvana Enzler, e pranishme në aktivitetin kulturor "Dita e Kulturës Zvicerane", nuk ka hezituar t‘u përgjigjet edhe interesimit të medias në lidhje me zhvillimet e fundit politike në vendin tonë. E pyetur në lidhje me bojkotin e opozitës në Parlament, znj. Enzler është shprehur se e vetmja rrugë e zgjidhjes së problemeve mes pozitës dhe opozitës është rruga e dialogut politik. Ambasadorja Enzler ka thënë se "vetëm dialogu është baza e marrëdhënieve politike dhe bashkëpunimit mes forcave politike, prandaj mendoj se të dyja palët duhet t‘i hapen dialogut dhe të gjejnë një kompromis të pranueshëm. Edhe ne zviceranët kemi katër gjuhë dhe katër kultura të ndryshme dhe kjo ka bërë që edhe ne të kemi konflikte politike, të cilat i kemi zgjidhur gjithmonë me dialog dhe përqendrimin e duhur dhe, duke parë se nga pikëpamja kulturore dhe historike Shqipëria është e ngjashme me Zvicrën, kjo recetë e jona në fushën politike duhet të aplikohet edhe në vendin tuaj". Në lidhje me punën e deritanishme të qeverisë shqiptare për integrimin në Bashkimin Europian, diplomatja zvicerane Enzler, edhe pse Zvicra nuk është pjesë e BE-së, ka pohuar se Shqipëria duhet të punojë për t‘iu afruar standardeve europiane. "Shqipëria është në rrugë të mbarë, por rruga që e pret është shumë e gjatë". Këto komente ambasadorja zvicerane, Yvana Enzler, i ka bërë pas përfundimit të aktivitetit kulturor "Dita e Kulturës Zvicerane", të zhvilluar në ambientet e bibliotekës "Vexhi Buharaja", ku është folur për bashkëpunimin mes dy shteteve në fushën e demokratizimit e decentralizimit, zhvillimin e sektorit privat, infrastrukturën e shërbimet social-kulturore etj. Në përfundim të aktivitetit bibliotekës "Vexhi Buharaja" i janë dhuruar nga ambasada zvicerane libra të autorëve zvicerane, të cilat tashmë do të jenë pjesë e fondit të kësaj biblioteke.

Mi.H.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›