Dule thërret kongresin e jashtëzakonshëm të PBDNJ
Partia e Bashkimit për të Drejtat e Njeriut njoftoi mbajtjen e Kongresit të saj më 19 dhjetor. Kryetari Vangjel Dule, tha se në kongres do të bëhet një analizë e detajuar e zgjedhjeve të përgjithshme të 28 qershorit, pas së cilës do të hapet edhe procesi për zgjedhjet e brendshme në parti. PBDNJ është në koalicion me të majtën dhe më 28 qershor arriti të marrë një vend në Parlament. "U përcaktua agjenda e kongresit të jashtëzakonshëm që është analiza e zgjedhjeve të 28 qershorit, analiza e aktivitetit të strukturave drejtuese të partisë dhe zgjedhjet e reja në Partinë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut. Ky kongres është një zhvillim cilësor për PBDNJ, se sjell edhe risinë e përfaqësimit të degëve të PBDNJ në emigracion. Do të jetë një kongres me pjesëmarrje të gjerë. Mbi 15% e delegatëve do të jenë nga radhët e emigracionit. Gjithashtu do të ketë edhe kuota të caktuara për përfaqësimin e tyre në të gjitha strukturat drejtuese, këshillin e përgjithshëm drejtues, kryesinë e partisë dhe sekretariatin", tha Dule. Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut ka arritur të marrë vetëm një deputet në zgjedhjet e 28 qershorit. Kjo ka ardhur edhe si pasojë e përçarjes së kësaj force politike, ku një pjesë iu bashkua Partisë Demokratike dhe Spiro Ksera u zgjodh deputet në listën e PD në Gjirokastër.