Kohë për të këmbyer kursin e politikës
Një herë e një kohë, Athina besonte fort se shpresa e Turqisë për të hyrë në Bashkimin Europian do ta nxiste këtë të fundit të ndryshonte apo të lëshonte pe në qëndrimet e saj ndaj Greqisë për të shtensionuar situatat. Por ja që kjo nuk ndodhi kurrë, ndërkohë që "politika kombëtare" e artikuluar ditëve të fundit, mbetet të jetë pak më tepër se një pararendëse e zhgënjimit. Të hënën e ardhshme, Këshilli i Ministrave të Jashtëm të BE-së do të mblidhet në Bruksel, për të diskutuar zgjerimin e Bashkimit Europian, si dhe për atë çka e pret dhe çka pritet prej Turqisë. Greqia dhe Qiproja kanë depozituar mëkohshëm një sërë ankesash dhe kanë formuluar një varg kushtesh ndaj Turqisë, por partnerët europianë duket se nuk kanë synim të ashpërsojnë sadopak marrëdhëniet me Ankaranë. Në të tilla rrethana, padyshim që Greqia duhet të rishikojë e rivlerësojë strategjinë e saj, me qëllim që t‘i përshtatet rrethanave të reja, që t‘i shërbejë për interesa nga më të ndryshmet. Gjëja e parë që mund të kryejë, është që ajo të veprojë në të njëjtën gjatësi vale me Gjermaninë dhe Francën, të cilat kërkojnë "marrëdhënie të veçanta" mes Ankarasë dhe Bashkimit Europian në rrafshin e politikës dhe në atë të sigurisë. Duke shpërfillur qëndrimin e Greqisë, ndërkohë që qëndrimet e këtyre dy vendeve janë parapërcaktuar tashmë, çdo lloj këmbënguljeje e Greqisë për të mos lëvizur nga istikami, nuk do të shkaktonte tjetër veçse humbjen e mundësisë nga ana e saj për të qenë palë me vlerë në negociata, ashtu sikundër do të zbehte peshën dhe fuqinë specifike të saj, për të rënë në ujdi për interesa madhore. Sigurisht që Ankaraja duhet të jetë e pranishme në këtë proces, me qëllim që "marrëdhëniet e veçanta" të Bashkimit Europian me një komb mysliman të mos shihen me syrin e njerkës nga organizmi europian. Një ndryshim i qëndrimit në lidhje me çështjen e prirjes europiane të Turqisë, do të ishte jo pak i vështirë për Kryeministrin grek, George Papandreu, ndërkohë që me statusin e një ministri të Jashtëm të një vendi të BE-së, i duhet të nxisë politika të tilla. Sakaq, për udhëheqësin kryesor të opozitës greke, ky ndryshim qëndrimi nuk do të përbënte kurrfarë problemi, pasi vetë Antonis Samaras nuk ka qenë i përfshirë në politikën e jashtme të qeverisë së ish-kryeministrit Kostas Karamanlis. Për më tepër, dy prej udhëheqësve konservatorë më në zë të Europës, kancelarja gjermane, Angela Merkel, dhe Presidenti francez, Nicolas Sarkozy, përkrahin pa mëdyshje linjën e "marrëdhënieve të veçanta" me Turqinë. Një ndryshim i qëndrimit nga vetë "Nea Demokracia" në opozitë, do ta afronte shumë me këto dy vende, një perspektivë kjo sa e dobishme aq edhe e dëshirueshme.