Ambasadorja zvicerane Huber: Kërkimi parlamentar forcon ligjet dhe afron Shqipërinë drejt integrimit në BE

Në kuadër të Ditës së Kërkimit Parlamentar, deputetët zhvilluan diskutime mbi rolin e Parlamentit në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duke theksuar rëndësinë e kapaciteteve kërkimore në hartimin e legjislacionit.
Gjatë fjalës së saj, Ambasadorja e Konfederatës Zvicerane në Shqipëri, Ruth Huber, u shpreh se themeli i një procesi ligjvënës cilësor qëndron te mënyra se si përgatiten ligjet.
Sipas saj, hartimi i ligjeve kërkon informacion të saktë, siguri dhe një bazë të fortë kërkimore, ndërsa kërkimi cilësor u mundëson deputetëve të ndërhyjnë në legjislacion duke sjellë më shumë përfitime për qytetarët.
“Çështja është mbi cilat baza i përgatisim ligjet, dhe kjo krijon nevojë për informacion, siguri dhe nevojën kërkimore. Përmes kërkimit cilësor, deputetët mund të ndryshojnë legjislacionin duke pasur më shumë benefite për qytetarët. Ndërtimi i kapaciteteve të forta kërkimore është thelbësor, dhe kjo është arsyeja që me mbështetjen e Zvicrës në Kuvendin e Shqipërisë kemi mbështetur krijimin e institutit parlamentar dhe të promovojmë bazat kërkimore”, tha Huber.
Ambasadorja Huber u shpreh se Shqipëria ndodhet përpara një mundësie historike në procesin e integrimit evropian, i cili “është më afër se kurrë”.
Ajo nënvizoi se ky proces kërkon përfshirjen e të gjithë shoqërisë, jo vetëm të ekzekutivit, por edhe të organeve legjislative, të cilat duhet të luajnë një rol vendimtar në përgatitjen e kuadrit ligjor.
“Shqipëria qëndron pranë një mundësie historike të procesit të integrimit pranë BE-së, dhe integrimi është më afër se kurrë. Kjo mundësi e madhe kërkon përfshirje të të gjithë shoqërisë dhe jo vetëm ekzekutivit. Duhet të fuqizohen edhe organet legjislative sa i përket përgatitjes së kuadrit ligjor”, tha ajo.
Sipas saj, një parlament me kapacitete të mira kërkimore është më efektiv në ushtrimin e funksioneve të tij dhe në mbikëqyrjen demokratike. Ajo theksoi se kërkimi i mirëfilltë ndihmon në interpretimin e çështjeve mbi bazën e fakteve dhe jo të politikës, ndërsa përvojat e parlamenteve evropiane mund të kontribuojnë në përsosjen e këtij procesi.
“Parlamenti që ka kapacitete të mira kërkimore mund të ketë më shumë efektivitet në funksionet e tij dhe në mbikëqyrjen e demokracisë. Puna kërkimore mundëson interpretimin e çështjeve në mënyrë që të mbështeten në fakte dhe jo të jenë politike. Përvojat nga parlamentet evropiane mund të ndihmojnë në punën kërkimore, e cila do të sjellë më pas ligje më të forta, debate më të mira politike dhe qytetarë më të informuar. Jam e lumtur që kanalet e bashkëpunimit vijojnë në ritme të larta. Këto diskutime do të formësojnë politikë më të mirë dhe një bashkëpunim rajonal më të madh”, tha ajo.
Huber përfundoi duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm dhe ritmet pozitive të tij, duke shtuar se diskutime të tilla ndikojnë në ndërtimin e politikave më të mira dhe në forcimin e bashkëpunimit rajonal.
/rtsh.al/