E Diel, 1 Nëntor 2026

Bardhi takon ambasadorin Bergner: Mbështesim integrimin, vlerësojmë rolin e Gjermanisë në këtë proces

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka pritur në një takim ambasadorin e Gjermanisë në Tiranë, Karl Bergner. Gjatë takimit, Bardhi vlerësoi mbështetjen e Gjermanisë për proceset integruese të Shqipërisë drejt familjes europiane.

“Gjermania ka qenë dhe mbetet një mbështetje e madhe për afrimin e Shqipërisë me standardet europiane. Shqipëria europiane nënkupton demokraci funksionale, zgjedhje të lira, institucione demokratike dhe luftë me tolerancë zero ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar”, deklaroi Bardhi.

Ai theksoi se Partia Demokratike mbështet fuqimisht integrimin europian dhe se ky proces duhet të sigurojë standarde europiane në jetën e çdo qytetari, duke u bazuar në meritokraci.

Sipas Bardhit, bashkëpunimi me Gjermaninë mbetet thelbësor për të avancuar reformat dhe për të garantuar progres të qëndrueshëm në procesin e integrimit në BE.

“Partia Demokratike mbështet fuqimisht procesin e integrimit europian dhe ne jemi të vendosur që ky proces të sigurojë standarde europiane në jetën e çdo shqiptari dhe për këtë nevojitet që të jetë thellësisht i bazuar në meritokraci. Ndava qëndrimin tim, se për fakt të keq, në 12 vite të qeverisjes së Edi Ramës, në secilën nga elementët kyç të një shteti demokratik europian, Shqipëria ka bërë hapa prapa.

Për të bërë hapa para, Shqipëria ka nevojë të ketë një qeveri që del nga zgjedhje të lira e të ndershme, dhe që nuk e kthen në sistem vizionin: Vjedhim zgjedhjet që të vjedhim Shqipërinë. Shembulli i dosjes penale të Belinda Ballukut e provon më së miri instalimin në Shqipëri, gjatë këtyre 12 vite, të këtij sistemi asgjësues për të ardhmen europiane të Shqipërisë”, tha Bardhi.

Një ditë më parë, Bardhi u takua edhe me të Ngarkuarën me Punë në Ambasadën e SHBA, Nancy VanHorn.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›