Kuvendi i Shqipërisë dhe partnerët ndërkombëtarë diskutojnë rolin e parlamentit në integrimin europian
Kuvendi i Shqipërisë organizoi edicionin e dytë të Ditës së Kërkimit Parlamentar, “Roli i Parlamentit në Procesin e Anëtarësimit në BE”
Kuvendi i Shqipërisë organizoi për herë të dytë radhazi Ditën e Kërkimit Parlamentar me temë “Roli i Parlamentit në Procesin e Anëtarësimit në BE”. Dita e Kërkimit Parlamentar u organizua nga Instituti Parlamentar në bashkëpunim me NDI, mbështetur nga Ambasada e Zvicrës dhe SDC në kuadër të projektit PACEP.
Në sesionin e hapjes së këtij aktiviteti, i cili u zhvillua në ambientet e Kryesisë së Kuvendit të Shqipërisë, përshëndetën Zëvendëskryetarja e Kuvendit, znj. Klodiana Spahiu, Ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, Sh.T.Z. Silvio Gonzato, Ambasadorja e Zvicrës në Shqipëri, Sh.S.Znj. Ruth Huber dhe z. Erion Malaj, deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Ky sesion hapës u moderua nga deputetja e Kuvendit të Shqipërisë, znj. Iris Luarasi.
Në fjalën përshëndetëse, Zëvendëskryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, znj. Klodiana Spahiu u shpreh se Bashkimi Europian dhe partnerët ndërkombëtarë i kanë dhënë një mbështetje të veçantë Kuvendit të Shqipërisë në lidhje me kërkimin parlamentar. Znj. Spahiu nënvizoi se kjo nismë e Kuvendit të Shqipërisë dhe Institutit Parlamentar forcon kulturën e analizës, transparencës dhe reflektimit në procesin ligjvënës, duke e kthyer Kuvendin në një qendër inovacioni dhe bashkëpunimi ndërinstitucional.
Ambasadorja e Zvicrës në Shqipëri, Sh.S.Znj. Ruth Huber, gjatë fjalës së saj vlerësoi rolin e Kuvendit të Shqipërisë ndërsa nënvizoi se puna kërkimore kontribuon në ligje më të mira, në mbikëqyrje më të fortë dhe debat politik më të informuar.
Ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, Sh.T.Z. Silvio Gonzato, u shpreh se Shqipëria ka shënuar hapa thelbësor në procesin e integrimit europian ndërsa nënvizoi se kërkimi parlamentar është domethënës sa i përket vendimmarrjes, forcon demokracinë dhe parlamentin.
/rtsh.al/