E Diel, 1 Nëntor 2026

Ambiente të posaçme në Zyrat Përmbarimore në Tiranë e Durrës për takimet e fëmijëve me prindërit

TIRANË, 30 korrik /ATSH/ Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu bëri të ditur sot se pranë Zyrave Përmbarimore të Tiranës dhe Durrësit janë krijuar ambiente të posaçme për zhvillimin e takimeve të fëmijëve me prindërit, në zbatim të vendimeve të gjykatës.

Sipas tij, këto hapësira janë konceptuar për të garantuar një atmosferë të qetë, të sigurt dhe miqësore, duke vendosur në qendër mirëqenien dhe interesin më të lartë të fëmijës.

“Kur në qendër është fëmija, kujdesi është parësor. Pranë Zyrave Përmbarimore të Tiranës dhe Durrësit janë krijuar ambiente të posaçme ku zhvillohen takimet e fëmijëve me prindërit, në zbatim të vendimeve të gjykatës, në një atmosferë të qetë dhe miqësore”, shkruan Gogu.

Ministri theksoi se deri në qershor 2026, në Zyrën Përmbarimore Tiranë rezultojnë të regjistruara 286 dosje me objekt takimin e fëmijës me prindin, ndërsa në Zyrën Përmbarimore Durrës 169 dosje.

“Puna vijon për krijimin e ambienteve të tilla edhe në zyra të tjera përmbarimore në vend, me një synim të qartë: mirëqenien e fëmijëve”, shkruan ai.

/m.q/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›