E Diel, 1 Nëntor 2026

Amerika Latine vendi më i rrezikshëm për gazetarët

Madrid - Vendet e Amerikës Latine paraqesin rrezikun më të madh për rrëmbimin dhe kërcënimin ndaj gazetarëve. Këtë e deklaron një raport i publikuar sot nga Observatori Iberiko-Amerikan i Lirisë së Shprehjes (OILEP).

"Amerika Latine qëndron në krye në fushën e agresioneve, kërcënimeve dhe rrëmbimeve të gazetarëve", deklaroi Rafael Jimenez Claudin, sekretar i përgjithshëm i degës spanjolle të Gazetarëve pa Kufij (RSF), gjatë prezantimit të këtij raporti.

Nga 29 rrëmbimet e gazetarëve të regjistruara vitin e kaluar në botë, 16 kanë ndodhur në këtë zonë të botës, së bashku me 414 nga 929 agresionet e regjistruara nga OILEP.

Claudin paraqiti pjesë të këtij raporti të hartuar nga OILEP, një obserevator me qendër në kryeqytetin spanjoll dhe të krijuar para katër vjetësh me iniciativën e RSF-së. Ky studim i duhet dorëzuar komunitetit iberiko-amerikan të Estorilit, në nëntor.

OILEP kërkon që kryetarët e shteteve të vendeve pjesëmarrëse në samitin iberiko-amerikan të organizuar çdo vit, të miratojnë brenda tri vjetësh një rezolutë në favor të mbrojtjes së gazetarëve.

Me këtë rezolutë, vendet duhet të angazhohen "për të harmonizuar legjislacionin e tyre mbi lirinë e shtypit", sipas Claudin që shpreh keqardhjen që në disa vende "ligjet kanë më tepër tendencë të frenojnë shtypin".

RSF njoftoi gjithashtu sot se dëshiron të punojë me shoqata të tjera, në mënyrë që OKB-ja të miratojë një protokoll në favor të mbrojtjes së lirisë së shprehjes dhe lirisë së shtypit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›