E Shtunë, 31 Tetor 2026

Amerika kritikon Izraelin për zgjerimin e vendbanimeve

Uashington - Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, i ka kërkuar Izraelit të ndalojë zgjerimin e vendbanimeve në tokën arabe. Është hera e parë prej disa vitesh që një administratë amerikane përcjell një mesazh të tillë. Deklarata e zonjës Klinton u bë në prag të takimit të parë zyrtar në Shtëpinë e Bardhë mes Presidentit Obama dhe presidentit palestinez Mahmud Abas.

Zgjerimi i vendbanimeve të hebrenjve është kritikuar edhe më parë, por nuk është shkuar më tej me verifikimin e reagimit izraelit. Deklarimi i zonjës Klinton shihet si sinjal i një linje më të ashpër.

"Përsa u përket vendbanimeve, presidenti ishte shumë i qartë gjatë bisedimeve me kryeministrin Netanjahu. Presidenti kërkon ndalimin e ndërtimit të vendbanimeve, jo ndërtimin e disa prej tyre dhe as ngritjen e banesave përtej vijës ndarëse. Ne mendojmë se është në interesin e procesit ku jemi përfshirë, që zgjerimi i vendbanimeve të ndërpritet", tha Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hillari Klinton.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu deklaroi në parlamentin e vendit se edhe palestinezëve u duhet bërë presion që t'u përmbahen angazhimeve të tyre. Reagimi i zotit Netanjahu mund të lexohet si kërkesë për ndërmarrjen e veprimeve më të ashpra kundër militantëve. Megjithatë, hëpërhë, duket se është Izraeli vendi që gjendet nën presion diplomatik.

Start/BBC

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›