E Diel, 1 Nëntor 2026

Amerikanët dhe pakistanezët vënë në pranga njeriun e fuqishëm të talebanëve

Arrestimi Mullah Baradar, që thuhet se e mbajnë fshehur, është strategu i sulmeve ndaj NATO-s

Forcat amerikane dhe pakistaneze kanë kapur komandantin e përgjithshëm të talebanëve, pas një operacioni të fshehtë në Karaçi. Menjëherë Mullah Ghani Baradar është vënë në pranga. Ai ishte personi që drejtonte strategjinë e ushtarakëve talebanë në luftën kundër forcave të NATO-s. Për kryengritësit bëhet fjalë për një goditje të rëndë, ndërkohë që ata po përballen edhe me një sulm të fuqishëm në provincën e Helmanit. Burimet e larta të Pakistanit e konfirmuan një lajm të tillë dhe më pas shtuan se aktualisht ai po merret në pyetje në një vend të fshehtë si nga hetuesit amerikanë, ashtu edhe nga ata pakistanezë. Mullah Baradar është lideri i nivelit më të lartë nga ana e talebanëve i kapur deri më tani dhe arrestimi i tij shënon jo vetëm një sukses për NATO-n, por edhe një pikë kthese në operacionet e NATO-s dhe të aleatëve në Pakistan. Deri më tani liderët ushtarakë dhe politikë të Pakistanit i janë kundërvënë amerikanëve për të fokusuar sulmet e tyre ndaj lidershipit të talebanëve. Por Shtetet e Bashkuara miratuan një ligj, sipas së cilit ndihma amerikane ndaj Pakistanit kushtëzohej nga dora e lirë që duhej t’i lihej amerikanëve dhe NATO-s për të sulmuar talebanët që janë në nivelet drejtuese. Për sa i përket personit të arrestuar, ai është anëtar i Shurës Talebane dhe deri tani ndaj këtij organi drejtues nuk janë ndërmarrë sulme të përbashkëta mes NATO-s dhe pakistanezëve. Por siç duket, ky është një kapitull i ri në këtë luftë dhe në kuadrin e strategjisë së re të Obamës për luftën në Afganistan. Megjithatë ka komentatorë që deklarojnë se arrestimi, pavarësisht se është i një njeriu shumë të rëndësishëm, nuk do të luajë ndonjë rol të madh në taktikat dhe organizimin e talebanëve sepse ata janë të organizuar në mënyrë të tillë që në raste humbjesh të figurave të ndryshme ka menjëherë persona të aftë dhe me lidhje që kryejnë zëvendësimin dhe mbushin boshllëkun. Baradar ishte një person i afërt me Bin Ladenin që para sulmeve të 11 shtatorit. Thashethemet për arrestimin e tij kishin dalë prej një jave, por vetëm një e përditshme amerikane ka konfirmuar gjithçka. Në lajm thuhej se Shtëpia e Bardhë kishte kërkuar mbajtjen sekret të lajmit për arsye ushtarake. Talebanët e kanë mohuar kapjen e liderit të tyre, duke deklaruar se lajmi është thjesht një thashethem i pavërtetë “Shefi ynë nuk është arrestuar dhe kjo është një taktikë e amerikanëve për të zhvendosur vëmendjen e njerëzve nga humbjet që ata po pësojnë në çdo front në Afganistan dhe në luftën kundër talebanëve”, bëri të ditur zëdhënësi i talebanëve. Por ndërkaq as Shtëpia e Bardhë dhe as CIA nuk kanë bërë ndonjë koment në lidhje me lajmin, por as nuk e kanë përgënjeshtruar atë.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›