BE: Greqia të shtrëngojë sërish rripin
Dje, ministrat e Bashkimit Europian, i bënë të ditur Greqisë se ndoshta për të ulur në mënyrë të ndjeshme deficitin buxhetor, ajo duhet që të ndërmerrte hapa të tjerë të rreptë brenda vendit. Kjo, pas deklarimit të një plani që parashikon shkurtime rrogash, shtim të moshës së daljes në pension e privime të tjera ndaj qytetarëve. Të tilla masa kanë ngjallur pakënaqësi tek njerëzit dhe kanë qenë në qendër të protestave dhe grevave të ditëve të fundit.
Ministrat e Financës së vendeve të BE-së, në takimin e tyre të djeshëm në Bruksel, deklaruan se Greqia duhet të ndiqte shembullin e Islandës dhe të Letonisë, që kanë ndërmarrë masa shumë të ashpra ekonomike brenda vendit për të sjellë në “formë” deficitin shumë të lartë buxhetor. Kjo do të thotë që europianët i kërkojnë Greqisë ndërmarrjen e masave shtesë, veçmas atyre tashmë të parashikuara. Kjo deklaratë është bërë para se t’i jepej Greqisë një afat prej 30 ditësh për të provuar efikasitetin e masave të ndërmarra. Greqia është vendi i parë brenda Eurozonës që në këto 11 vjet të ekzistencës së saj i ka kërkuar vendeve të tjera anëtare ndihmë ekonomike dhe financiare për të përballuar një situatë jashtëzakonisht të vështirë, e cila mund të ketë ndikim negativ edhe ndaj vendeve të tjera të Eurozonës. Megjithatë, ministrat e mbledhur dje, nuk kanë qenë specifikë në kërkesën e tyre. Vendet e Eurozonës në takimin e tyre të nivelit të lartë të një jave më parë ranë dakord që të ndihmojnë financiarisht Greqinë në rast nevoje, por ende nuk është bërë specifik asnjë plan për një gjë të tillë. Aktualisht, të gjitha vendet e mundshme të një oferte ndihme, janë në pritje të performancës greke e më pas, nëse ajo do të dështojë, mund të ndërhyjnë. Kjo pasi një dështim i Greqisë nuk mund të kalonte pa pasoja edhe për vendet e tjera. 16 marsi është afati që ministrat e Financës së vendeve të Eurozonës i kanë vënë Greqisë për të treguar mbarëvajtjen e planit të saj, si dhe për të vendosur se cili do të jetë hapi i radhës për t’u ndërmarrë në varësi të performancës së Athinës. Më pas, Greqia do të raportojë sërish në mesin e muajit maj dhe më pas do të vazhdojë me një praktikë të tillë çdo tre muaj, deri në zgjidhjen e situatës.
Komisioneri i çështjeve Monetare, Oli Rehn, tha se këto ditë do të shkonin në Athinë ekspertë të nivelit të lartë të institucioneve monetare botërore më të rëndësishme, për të parë nga afër situatën dhe për të parë fillimin e zbatimit të paketës së paraqitur nga Kryeministri i vendit, Papandreu.
#