Amerikanët harrojnë çdo gjë
Nga Washington, Kristi Pinderi
Gjykata e Apelit në San Francisko vendosi të mos pranojë apelimin e konservatorëve në SHBA për të rishikuar një vendim të gjykatës së shkallës së parë që e konsideroi ndalimin e martesave gej si antikushtetues. I njohur si Propozimi 8, ky ndalim u bë përmes votës në një referendum në shtetin e Kalifornisë, por mbështetësit e martesave gej e ankimuan atë në gjykatën e shkallës së parë e cila u dha të drejtë dhe shpalli se të ndalosh martesat gej është antikushtetuese.
Refuzimi i Apelit për të mos rrëzuar vendimin e gjykatës së shkallës së parë u hap tani rrugën konservatorëve që ta çojnë brenda 90 ditëve çështjen pikërisht në Gjykatën Supreme, interpretimet e së cilës kanë vlerë ligjore në nivel federal. Kjo i ka bërë me krahë mbështetësit e kauzës LGBT në SHBA, të cilët besojnë se të paktën 4 anëtarë të Gjykatës Supreme (nga 7) mbështesin martesat mes së njëjtës gjini. Ky zhvillim ndodh pikërisht në muajin qershor të cilin Presidenti Barack Obama e shpalli si muajin dedikuar të drejtave dhe betejave të komunitetit LGBT në të gjithë Amerikën. Ajo që po ndodh me të drejtat e LGBT, që ne besojmë se janë të drejta të njeriut është diçka që përpara 10 apo më shumë viteve nuk do ta kishim imagjinuar që të ndodhte, tha në Departamentin e Shtetit, gjatë një takimi me gazetarë nga 19 vende të botës (autori i këtij shkrimi ishte gjithashtu prezent), Ndihmës Sekretari i Shtetit për Demokracinë dhe të Drejtat e Njeriut z. Michael Posner. Në këtë takim informues, ku ndodhej edhe zëvendësi i tij, z. Dan Baer.
Unë e konsideroj këtë si një kauzë të shekullit të 21 të lidhur ngushtë me ndryshimin e brezave, shtoi më tej Ndihmës Sekretari i Shtetit, madje kjo kauzë po revolucionarizon diplomacinë amerikane. Z. Posner konfirmoi se, për këtë arsye, Departamenti i Shtetit ka dërguar një kabllo diplomatike në të gjitha selitë amerikane në botë ku udhëzon diplomatët që ta ngrenë me forcë çështjen LGBT në vendet ku ndodhen. Ne kemi filluar të edukojmë vetë diplomatët tanë dhe përmes tyre edhe publikun, pasi ashtu siç ka deklaruar dhe Sekretarja e Shtetit Clinton, të drejtat e LGBT janë të drejta të njeriut, dhe të drejtat e njeriut janë edhe të drejta të LGBT, iu përgjigj ai pyetjes se për çfarë arsye Ambasada Amerikane në Tiranë dhe vetë ambasadori Aleksandër Arvizu po mbajnë së fundmi qëndrime mjaft aktive në mbështetje të aktivistëve LGBT në Shqipëri. Por i gjithë ky debat ka vënë në mendime analistët dhe aktivistët politikë në SHBA më shumë se kudo tjetër, të cilët kërkojnë të dinë nëse deklarata e pak ditëve më parë e Presidentit Obama i cili mbështeti publikisht martesat gej, – si asnjë President tjetër i SHBA para tij, – do të ndikojë për mirë apo për keq në rezultatet e zgjedhjeve presidenciale. Brenda vetë komunitetit LGBT ekziston paqartësia se çfarë mund të ndodhë me këto arritje të tyre të Administratës Obama dhe demokratëve, nëse zgjedhjet i fiton kandidati republikan Romney. E pyetëm z. Kevin Naff, Kryeredaktor i Gazetës më të vjetër dhe më autoritare për LGBT Washington Blade për këtë pothuajse-dilemë. Sipas sondazheve tw fundit, iu përgjigj ai, Obama vazhdon të kryesojë, ndërkohë që njerëzit e kanë ditur gjithmonë se Presidenti i mbështet të drejtat e LGBT, pa pritur që të bënte atë deklaratë, ndonëse, kam përshtypjen se, deklarata e tij u bë e pashmangshme pasi pak ditë para saj zv/Presidenti Joe Biden u ngut, – siç ndodh shpesh me të, – të deklaronte të mbështeste martesat gej përpara se këtë ta bënte vetë Obama. Edhe vetë republikanët, nga ana e tyre duket se janë më shumë se asnjëherë më parë të përçarë në lidhje me këtë çështje.