E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sfida e zjarrfikësit në një sezon të nxehtë

Aksidenti i autobusit të studentëve me pasojë 14 viktima dhe shumë të plagosur e bën më emergjente ngritjen e një stacioni zjarrfikës në këtë zonë, për të mos pritur ardhjen e forcave nga Vlora apo Saranda

Kol. Alfred Kristuli

Pasi lamë pas një dimër më shumë probleme me borën që bllokoi gati pjesën më të madhe të Shqipërisë dhe e gjeti shtetin me strukturat e tij, së shpejti do na trokasë në derë stina e verës me temperaturat e saj të larta. Si në çdo stinë vere të nxehtë zjarret, janë më tepër të pranishme duke u favorizuar edhe nga vetë temperaturat, uroj që kjo verë të mos e gjejë shtetin dhe strukturat përkatëse të papërgatitura sidomos shërbimin zjarrfikës.

Pavarësisht se aktualisht shërbimi zjarrfikës nuk e menaxhon vetë buxhetin e tij, siç e kanë dhe e menaxhojnë të gjithë shërbimet homologe, (një handikap tjetër ky shqiptar), besoj se Ministria e Brendshme do të gjejë rrugë për fonde, për të mbështetur në mënyrë të veçantë rritjen e gatishmërisë së automjeteve të stacioneve zjarrfikëse, kompletimin e stacioneve me pajisje, shkumë, tuba dhe çfarë i kërkohet sipas normave të miratuara me kohë, para se të filloje stina e verës. Ministria e Brendshme, Drejtoria e Zjarrfikëseve besoj se për të qenë të parapërgatitur për stinën e nxehtë, do të përpilojë strategji, plan-masash të detajuar, për tiu përgjigjur çdo situate që mund të ndodhë nga rreziku i zjarrit. Normalisht duhet të realizojë kontakte me shërbimet homologe zjarrfikëse fqinje, Greqi, Itali, Maqedoni, Mal i Zi, para se të fillojë stina e verës, për të koordinuar, bashkëvepruar, për ndihme reciproke me këto vende me mjete dhe personel. Për të realizuar gatishmërinë e nevojshme në çdo kohë, duhet të realizohet stacionimi i automjeteve zjarrfikëse të lëvizshëm jashtë stacioneve, siç mund të jenë; në rrugë, në kryqëzime rrugësh, në plazhe, në vendet turistike, në vende ku ka grumbullime dhe lëvizje njerëzish.

Në zonat turistike, në të gjithë plazhet që ka Shqipëria sidomos në ato vende që nuk ka stacione zjarrfikëse, do të arrijmë të gjejmë mundësinë për të rritur sigurinë publike nga rreziku i zjarrit dhe të shpëtimit në veçanti, siç është zona e bregut nga Vlora deri në Sarandë ku në të gjithë gjatësinë e kësaj rruge prej afro 150 km ku nuk ka stacione. Eksperiencat e vendeve fqinje na kanë treguar se në këtë stinë shtojnë personel sezonal, rishpërndajnë personelin ekzistues, duke ju përgjigjur lëvizjes së popullsisë në zona që popullohen për sezonin veror të turizmit.

Himara mund të ishte vendi i përshtatshëm ku duhet të ngrihet një stacion zjarrfikës, në qytet, zonë urbane, i barazlarguar për të mbuluar të dy skajet e bregdetit.

Aksidenti i autobusit të studentëve me pasojë 14 viktima dhe shumë të plagosur e bën më emergjente ngritjen e një stacioni zjarrfikës në këtë zonë, për të mos pritur për çdo incident që mund të ndodhë, ardhjen e forcave zjarrfikëseve nga qyteti i Vlorës apo i Sarandës. Pse jo, mund te ishin shpëtuar jetë njerëzish po te ishin me afër zjarrfikësit. Prezenca e forcave të zjarrfikëseve dhe shpëtimit në kohë në çdo aksident, është detyrim ligjor dhe shpëtimi i jetës së njerëzve është një misionin dhe detyrë.

Tani është koha e duhur për të kryer parapërgatitjet e duhura që të mos ndodhë si në stinën e dimrit. Në mesin e verës e në prag të vjeshtës, kur bari thahet dhe fillojnë të bien gjethet e pemëve, atëherë fillon edhe periudha e zjarreve në pyje. Për sa kohë që i mori përsipër Drejtoria e Emergjencave menaxhimin e zjarreve masive në pyje, e pamë se sa i doli për zot, mbeti vetëm te kontratat me kompani private e shtetërore, për të marrë me qira avionë, helikopterë, që ky shtet dhe ky popull i paguan sa frengu pulën.

Qeveria duhet ta marrë me më shumë seriozitet, duke menduar për metoda, struktura e forma të reja dhe efikase, duke ruajtur pasuritë kombëtare dhe jetët e njerëzve nga rreziku i zjarrit, pa ja lënë atë gjithkujt dhe askujt, siç është bërë deri më sot.


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›