E Diel, 1 Nëntor 2026

Amerikanet simpatizojnë Obamën, sondazhet e favorizojnë ndaj Romneyt

Megjithëse popullariteti i tij nuk është në nivelet më të larta të mundshme, kur vjen fjala për të zgjedhur ndërmjet Barack Obamës dhe Mitt Romenyt, votuesit në të paktën tri shtete të lëkundura amerikane do të preferonin presidentin aktual.

Një sondazh i universitetit `Quinnipiac` tregon se Obama është përpara Romneyt me 7% në Florida, 6% në Ohio dhe 3% në Pensilvani.

Një anketim i ngjashëm, i realizuar në muajin dhjetor, e nxirrte republikanin në krye në dy prej këtyre shteteve, ndërsa Pensilvaninë e llogariste si barazim.

Arsyeja kryesore përse perspektiva e Obamës po vjen në përmirësim, sipas ekspertëve, është sipas të gjitha gjasave ekonomia. Gati nëntë nga 10 të intervistuar pohuan se situata ekonomike përbën shqetësimin e tyre kryesor, e pasuar nga papunësia dhe reforma shëndetësore që po shqyrtohet aktualisht në Gjykatën e Lartë të vendit. Në qendër të çështjes është klauzola e reformës që i detyron amerikanët të blejnë sigurim shëndetësor, në të kundërt mund të gjobiten. Detyrimi për të blerë sigurime shëndetësore fillon në vitin 2014. Sondazhi tregoi gjithashtu se ndërsa në tre shtetet e lëkundura, Obama dhe Romney kishin pothuajse të njëjtin nivel preference nga votuesit meshkujt, presidenti kryeson qartë si favorit i femrave.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›