Kosova* apo Kosovo*?
Qeveria e Kosovës duket se nuk e ka të qartë ende se me çfarë emri pritet të përfaqësohet në forumet rajonale.
Marrëveshja për përfaqësimin rajonal, e arritur gjatë bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit, tashmë e ka precizuar këtë çështje duke bërë të qartë se gjithkund vendi do të prezantohet pa fjalën Republikë, por vetëm si Kosovo me asterisk (*) dhe me fusnotën ku shkruan se kjo bëhet pa paragjykim të qëndrimeve për status dhe është në përputhje me Rezolutën 1244 të KSKB’së dhe Opinionin e GJND-së për Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës.
Por, sipas të gjitha gjasave, zyrtarë të qeverisë që janë marrë me bisedimet kanë dëshirë edhe të manipulojnë ngapak, duke theksuar se vendi do të përfaqësohet si “Kosova * ”.
“Për këtë qëllim, 'Kosova*' është shënimi i vetëm që do të përdoret në kuadër të kornizës së bashkëpunimit rajonal”, thuhet në tekstin e marrëveshjeve të publikuar nga Qeveria e Kosovës të enjten.
E tashmë është e ditur se në evenimente ndërkombëtare zyrtarët e lartë shtetërorë janë përfaqësuar gjithmonë si Kosovo, madje edhe kanë nënshkruar marrëveshje bilaterale si Republic of Kosovo, pasi që në këtë mënyrë e kanë njohur edhe 88 vende të botës. Pra, ndërkombëtarisht vendi nuk është njohur si Republic of Kosova.
E për këtë kishte dhënë një shpjegim edhe Cooper pas arritjes së marrëveshjes.
“...Emri Kosovo është në harmoni të plotë me të drejtën ndërkombëtare, është i pranueshëm për të dyja palët pa paragjykuar statusin”, ka shtuar ai.
Sido që të jetë, në tekstin e marrëveshjes për bashkëpunimin rajonal, i cili është publikuar pas shumë vërejtjeve të opozitës se zyrtarët e qeverisë po e mbajnë të fshehur marrëveshjen, thuhet se “'Kosova*' merr pjesë vetë dhe flet për veten e saj në të gjitha takimet rajonale”.
“Me rastin e parafimit dhe/ose nënshkrimit të marrëveshjeve të reja, përfaqësuesi i Kosovës*' do të nënshkruajë në përputhje me shënimin në pikën 2 dhe 3”, thuhet në tekstin e marrëveshjeve.
“Sa i përket ndryshimeve të marrëveshjeve ekzistuese të nënshkruara nga UNMIK-u, asgjë në këto konkluzione nuk do të interpretohet me paragjykim për të drejtat ligjore të UNMIK-ut. Përfaqësuesi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) do të ftohet në takimet e organizuara në kuadër të marrëveshjeve, ku është nënshkrues. UNMIK do të vendosë nëse dëshiron të marrë pjesë në ndonjërin nga këto takime”, thuhet në tekst.
Po ashtu theksohet se gjatë takimeve rajonale do të shmangen flamujt.
“Nikoqirët e takimeve do të inkurajohen që të shmangin shfaqjen e simboleve nacionale përveç të tyre dhe të BE-së, duke marrë parasysh statutet e organizatave përkatëse”.
Bashkimi Europian ndërkaq ka bërë të ditur se do t`i informojë organizatat dhe entitetet përkatëse rajonale për aranzhimet për shënimin, përfaqësimin dhe nënshkrimin.
“Ato duhet të reflektohen në organizimin praktik të takimeve rajonale. BE-ja do ta monitorojë zbatimin e këtyre aranzhimeve”, thuhet në tekstin e marrëveshjeve.
“Të dy palët dhe BE-ja do t`i nxisin partnerët që të mbështesin këto aranzhime dhe të ndihmojnë në zbatimin e tyre”, vazhdon marrëveshja.
BE ka sqaruar se për cilat organizata bëhet fjalë.
“Organizatat rajonale, për të cilat bëhet fjalë në këto konkluzione, janë organizatat ose aranzhimet ekzistuese dhe ato të ardhshme ndërqeveritare, qëllimi i të cilave është promovimi i bashkëpunimit ose integrimit në rajonin e Ballkanit. "Takimet rajonale" përfshijnë takimet e këtyre organizatave dhe po ashtu takimet ad-hoc ose takimet jo-formale me qëllime të ngjashme. Kjo gjithashtu përfshin takimet me institucionet e BE-së në kontekst të agjendës europiane”, thuhet në tekst.
Po ashtu bëhet e ditur se aranzhmanet janë miratuar në baza të përkohshme.