Amnesty International: Qeveria të rehabilitojë 37 familjet rome
Kritika të shumta janë bërë publike ditën e djeshme për autoritetet shtetërore shqiptare nga një raport i Amnesty International, në lidhje me 37 familjet e pastreha që prej disa muajsh jetojnë në qiell të hapur. Amnesty International kërkon marrjen e masave urgjente për 37 familjet rome qe rrezikojnë të dëbohen nga banesat e tyre ne rrugën e Kavajës, në Tiranë. Deklarata u bë më 5 gusht, dy ditë përpara skadimit të afatit që u është caktuar nga Kompania e Ndërtimit Park Construction Albania për të liruar hapësirën tek ish-Qendra e Realizimit të Punimeve të Artit, ku disa prej këtyre familjeve romë jetojnë prej më shumë se 10 vjetësh.
Apeli
Organizata ndërkombëtare e të drejtave të njeriut shkruan në apelin e saj, se pronari i tokës nuk ka respektuar procedurat e përcaktuara ne ligj dhe se autoritetet janë treguar indiferente në lidhje me problemin e familjeve rome. Lidhur me këtë rast një ditë më parë ka reaguar edhe Avokati i Popullit i cili ka konstatuar se ndërtimi ka nisur në një pjesë të zonës, për të cilën është siguruar leja dhe se kompania u ka ndaluar romeve të lëvizin aty lirisht. Pavarësisht kërkesës së Avokatit të Popullit që pronari i tokës të ndjekë proceset e nevojshme ligjore dhe juridike, kompania thotë se nuk ka detyrime për romët që kane zaptuar tokën, pasi ata nuk kanë asnjë të drejtë mbi truallin.
Problemi
Amnesty International shkruan se megjithëse Shqipëria nuk ka një ligj që ndalon dëbimet me forcë, sipas ligjit ekzistues, pronari i tokës duhet ti njoftojë brenda 10 ditëve. Asnjë prej familjeve rome nuk ka marrë një njoftim zyrtar për të lënë vendbanimin përkundrazi, shkruan Amnesty International, familjet rome janë kërcënuar nga punonjësit e kompanisë së ndërtimit dhe disa prej banorëve kanë bërë denoncime në komisariatin e policisë. Në këtë rast, Amnesty International flet për një strehim alternativë që mund tju sigurohej këtyre familjeve. Rreth 37 familje rome në Shqipëri janë duke u kërcënuar me dëbim me forcë. Po ju merret toka ku ata jetojnë, ndërsa pronari që e pretendon atë nuk i ka respektuar procedurat e përcaktuara në ligj. Ndërkaq dhe autoritetet nuk kanë marrë masa për të siguruar ndonjë strehim alternativ për romët, thuhet në reagimin e AI.