Amnesty International reagon për dhunimin e grave në qendrën e mbrojtjes nga dhuna: Shkarkoni drejtoreshën
Pas denoncimit në Fiks Fare të dhunimit të grave që strehoheshin në një qendër pritëse të trajtimit të viktimave të dhunës në Tiranë, ka reaguar edhe organizata për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, Amnesty Intenational, që ka kërkuar shkarkimin e drejtoreshës së kësaj qendre.
Rekomandojmë shkarkimin e drejtoreshës së qendrës dhe marrjen e masave për mbrojtjen e viktimave. Qendra është krijuar me fonde kombëtare dhe abuzimet e zbuluara nxjerrin në pah nevojën për monitorimin e qendrave publike, ka reaguar AI.
Amnesty International i referohet një rekomandimi të mëparshëm të Avokatit të Popullit, i cili kreu inspektime në qendrën pritëse menjëherë pas denoncimit të Fiks Fare.
Organizata ndërkombëtare e të drejtave të njeriut i ka bërë thirrje qeverisë shqiptare që të ndërmarrë masa të menjëhershme për të siguruar mbrojtjen e viktimave të dhunës.
Gratë e dhunuara në qendrën e mbrojtjes nga dhuna thonë se drejtoresha, Dodona Kaloshi, ka mbrojtje politike. Kur ata janë ankuar në Kryeministri dhe në Ministrinë e Çështjeve Sociale iu kanë thënë pikërisht këtë gjë.