Fyle: Zgjedhja e Presidentit të jetë proces me negociata

Fyle e Berisha dje ne konference per shtyp
Komisioneri i KE kërkoi dje që Presidenti të përfaqësojë unitetin e popullit.
Berisha: Domosdoshmërisht me negociata, por do fillojnë në afatin kushtetues, në javën e tretë të majit.
Zgjedhja e Presidentit duhet të jetë një proces i negociueshëm dhe në atë karrige duhet dikush që të përfaqësojë unitetin e popullit. Kjo ishte këshilla e komisionerit për Zgjerimin, Stefan Fyle, gjatë vizitës 6-orëshe në Tiranë. Zyrtari i lartë i Bashkimit Europian u takua me krerët më të lartë të shtetit dhe mbajti një fjalim në Parlament, ku në qendër të tij ishte fakti se viti 2012 është një mundësi e mirë për Shqipërinë për të marrë statusin e vendit kandidat. Në konferencën e përbashkët për shtyp me Kryeministrin Sali Berisha, Fyle tha se është i rëndësishëm fakti që çështja e Presidentit të mos jetë një problem për vendin. Sigurisht, kjo është e rëndësishme, pasi na bën neve që të sigurojmë që zgjedhjet presidenciale në vend të jenë pjesë e zgjidhjes dhe jo e problemeve, në rast se të gjitha këto punë nuk përfundohen. Së dyti, në fakt, angazhimi i Kryeministrit, por edhe i qeverisë që të sigurojmë që zgjedhja e Presidentit do të jetë një proces i negociueshëm. Unë nuk kam ardhur në Shqipëri që të jap këshilla, madje edhe leksione për tju treguar si duhet bërë kjo gjë, por kam ardhur këtu për të parë përpara, tha Fyle. Nga ana tjetër, unë nuk dëshiroj ta lë këtë rast të më ikë pa ju thënë se ajo që është e rëndësishme është që zgjedhja e Presidentit do të thotë se në atë zyrë të vijë dikush, i cili pasqyron qartë frymën e Kushtetutës, por edhe faktin se ai person do të jetë dikush që do të përfaqësojë, siç e thotë edhe Kushtetuta, unitetin e popullit shqiptar, u shpreh më tej komisioneri.
Berisha
Nga ana e tij, Kryeministri Berisha foli në hyrje të fjalës së tij për një proces që duhet të kalojë domosdoshmërisht me negociata. Ai tha se pavarësisht faktit që kanë dalë disa kandidatë, procesi do të nisë atëherë kur e përcakton Kushtetuta, në javën e katërt të muajit maj. Natyrisht, diskutuam edhe për zgjedhjen e Presidentit të Republikës. Unë e sigurova komisionerin se e konsideroj këtë një proces domosdoshmërisht që duhet të kalojë me negociata, një proces që duhet të respektojë plotësisht frymën e germën e Kushtetutës. Një proces për të cilin ne do të angazhohemi në kohën e përcaktuar nga Kushtetuta e vendit. Kandidatë, siç e dini, ka dhe janë shumë të mirëpritur, por procesi real fillon në afatin e përcaktuar nga Kushtetuta e vendit, sepse kështu e kërkon rregulli, u shpreh Berisha. I pyetur nëse do të pranojë ftesën e kryetarit të Partisë Socialiste për tu ulur në një tryezë bisedimesh për zgjedhjen e Presidentit, Kryeministri tha se lidhur me pyetjen tuaj, unë mendoj që ju të gjithë duhet vlerësoni faktin se nga të gjithë kryetarët e forcave politike në Shqipëri jam i vetmi që kam deklaruar se nuk do të kandidoj për postin e Presidentit të Republikës. Por, në fakt, asnjë prej jush nuk e ka shënuar këtë fakt. Megjithëse u shpreh pozitiv për ftesën e rivalit të tij politik, Kryeministri la të kuptohet se nuk do ta takojë Ramën deri në momentin që do të nisë zyrtarisht gara në Parlament, siç e parashikon Kushtetuta. Së dyti, çdo ftese unë i përgjigjem pozitivisht dhe e vlerësoj ftesën e zotit Rama. Por theksoj se Kushtetuta përcakton një afat se kur fillon procesi kushtetues dhe si unë, zoti Rama e të gjithë, për hir të respektit të postit të Presidentit, duhet ta respektojmë këtë. Së treti, unë jam gjithnjë për negociata dhe, siç fakton e gjithë kjo histori e gjatë komunikimesh, takimet janë gjithnjë të vlefshme kur ato parapërgatiten nga stafet që kanë dhunti, kanë mundësi të japin një kontribut thelbësor në përgatitjen e tyre.
Topi me Fylen: President me integritet
Gjatë takimit në Presidencë, kreu i shtetit Bamir Topi dhe komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fyle, u ndalën edhe te çështja e Presidentit të ri të vendit. Në bashkëbisedimin e tyre, Presidenti Topi dhe komisioneri Fyle u ndalën edhe në procesin e rëndësishëm të zgjedhjes së Presidentit, proces i cili duhet të jetë sa më transparent dhe konsensual, pasi shqiptarët kërkojnë dhe meritojnë një figurë presidenciale me integritet të lartë profesional e moral e njerëzor, që të gëzojë simpati të gjerë në popull, të jetë mbi partitë politike dhe të shërbejë vërtet si simbol i bashkimit kombëtar, thuhet në njoftimin për shtyp të Presidencës. Sipas komisionerit Fyle, gjatë këtij viti partitë duhet të sigurojnë vazhdimin e dialogut konstruktiv.
Fyle, Edi Ramës: Vlerësoj rolin e PS
Në takimin me komisionerin për Zgjerimin, Stefan Fyle, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, renditi një sërë çështjesh që mbeten për tu adresuar si zbatimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit, reforma në Gjyqësor dhe miratimi i ligjit për median. Kryetari i PS rikonfirmoi angazhimin e Partisë Socialiste për të ofruar gjithë kontributin e saj për avancimin e axhendës europiane të Shqipërisë. Komisioneri Fyle e përgëzoi kryetarin e Partisë Socialiste për rolin konstruktiv që ka luajtur opozita për ecurinë e procesit të reformave, shprehje e së cilës ishte dhe shembulli pozitiv i mënyrës së zgjedhjes së Avokatit të Popullit, shembull jo vetëm për politikën shqiptare, por edhe për rajonin.
Topalli: Pas bojkotit të PS miratuam kodet
Kryetarja Jozefina Topalli e njohu komisionerin Fyle me përparimin që Parlamenti, përmes bashkëpunimit mes opozitës dhe maxhorancës, ka shënuar në funksion të përmbushjes së rekomandimeve të KE-së, si miratimi i kodeve që kërkonin 3/5 e votave, finalizimi i ligjit për Gjykatën Administrative, puna për reformën zgjedhore etj. Pas periudhës së vështirë të dy viteve bojkot dhe bllokim nga opozita, sot kemi një klimë të re bashkëpunimi në respekt me marrëveshjen e nëntorit. Jemi të vendosur për të realizuar çdo reformë, me qëllim realizimin e objektivit tonë kombëtar, integrimin në Bashkimin Europian, u shpreh kryetarja e Kuvendit gjatë këtij takimi. Nga ana e tij, komisioneri vlerësoi progresin e bërë në realizimin e 12 kritereve.
Takimi
Në axhendën e komisionerit Fyle në Tiranë ishte edhe takimi me Avokatin e Popullit, Igli Totozani. Sipas njoftimit për shtyp të këtij institucioni, Fyle ka vlerësuar mënyrën se si Totozani është përzgjedhur në këtë pozicion dhe është shprehur se kjo mënyrë përzgjedhjeje mund të shërbejë si një shembull i mirë për të gjithë rajonin. Një element tjetër të cilin do të doja të vlerësoja është qasja që ju keni lidhur me funksionin dhe kompetencat që keni. Ka shumë njerëz që nuk janë në gjendje të kuptojnë punën e tyre gjatë ushtrimit të mandatit të tyre, ndërkohë që ju jeni duke përdorur në maksimum mundësitë që ju njeh ligji, tha Fyle.
Fjalimi i


