Arrestimi i 8 shqiptarëve, PDIU: Hakmarrje për pafajsinë e Limaj
Tiranë- Pas arrestimit të 8 shqiptarëve nga autoritetet serbe, ka reaguar PDIU.
Në një deklaratë për mediat PDIU e ka cilësuar këtë akt si një hakmarrje ndaj pafajësisë së Fatmir Limajt dhe ka kërkuar lirimin e tyre të menjëhershëm
Arrestimet e kryera ditëve të fundit në komunën e Bujanovcit nën akuzan për krime lufte janë qartazi një shprehje e mllefit hakmarrës të Beogradit për rikonfirmimin e pafajsisë të komandantit Limaj dhe bashkëpunëtorëve të tij si dhe një taktikë elektorale në prag të zgjedhjeve. Me anën e kësaj manovrepolicore brutale në Luginën e Preshevës si dhe nxitjes së dhunës në veri të Kosovës trashëgimtari i lidershipit të partisë së Milosheviçit, Zoti Ivica Daçiç është duke aplikuar një fushatë populiste ekstremiste që synon të rikthejë atmosferën e para një dekade për të mbledhur sa më shumë vota-thuhet në deklaratë.
Më tej PDIU i ka bërë thirrje Brukselit të marrë masa ndaj këtij veprimi dhe të ndihmojë në lirimin e shqiptarëve.
PDIU beson se kjo valë arrestimesh në Luginën e Preshevës është një ripërsëritje e rastit të mësipërm dhe synon që ta mbaj të gjallë trysninë ndaj popullit shqiptar që jeton në këtë tërritor. Kjo klimë terrori bën që shqiptarët e dëbuar të mos kthehen madje që të tjerë shqiptarë të detyrohen të largohen duke çuar në një pastrim gradual etnik të këtyre trojeve shqiptare. Ne kërkojmë nga Brukseli dhe aleatët tanë perëndimor që të ushtrojnë presion ndaj Beogradit në mënyrë që të ndërpritet trysnia ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe pakica shqiptare aty të gëzojë standardet evropiane të të drejtave të njeriut dhe të të drejtave të minoriteteve- përfundon deklarata.
Policia serbe arrestoi sot 8 shqiptarë në Luginën e Preshevës.
Sipas burimeve jozyrtare katër persona janë arrestuar në fshatin Terrnavc, dy në qytetin e Bujanocit dhe dy në fshatin Bernicë, të cilët akuzohen për krime lufte.
Në këtë zonë në qytetin e Vranjes ka shkuar ministri i punëve të brendshme, Ivica Dacic, i cili ka deklaruar në një konferencë të jashtëzakonshme se janë arrestuar së paku tetë persona: Elham Salihu, Mustafa Limani, Sherif Abdiu, Nedir Sefedini dhe Sevdail Emërllahu. Dhe se aksioni ka nisur me urdhër të prokurorisë serbe për krime lufte.
Siç raporton INA Daçiç tha se dy veta janë arrestuar pasi kanë shfaqur rezistencë ndaj pjesëtarëve të policisë serbe ndërsa një person është arrestuar për armëmbajtje pa leje. Sipas këtyre informacioneve, një nga të arrestuarit është edhe Sherif Avdyili, përthyes i OSBE-së në Serbi. Sipas mediave serbe, gjatë aksionit është sulmuar një pjesëtar i xhandarmërisë serbe, ndërsa nga burimet shqiptare thuhet se policia ka keqtrajtuar personat në zonat ku janë kryer bastisjet.