Amnistia fiskale, FMN dhe Bode ende të paqartë
Kur kanë hyrë në muajin e tretë të diskutimit, autoritetet më të larta financiare nuk e kanë ende të qartë se sa do të zbatohet amnistia fiskale. Më konfuz është treguar shefi i FMN-së, Gerwin Bell, i cili e tha hapur se nuk ka asnjë qëndrim konkret për aq kohë sa as qeveria nuk e di se çfarë do të amnistojë. “Ka përkufizime të ndryshme për atë që quhet amnisti fiskale dhe për sa kohë që nuk është e qartë se çfarë kërkohet të bëhet, është e vështirë të japësh një mendim. Një aspekt i thjeshtë është formalizimi i pronësisë, duke paguar taksa në bazë të ligjit. Kjo nuk konsiderohet plotësisht amnisti fiskale dhe nëse bëhet kjo, ne jemi dakord. Ka edhe një aspekt tjetër të amnistisë fiskale, ku disa njerëz nuk kanë paguar kurrë detyrimet e tyre tatimore, dhe t’u falësh atyre detyrimet është diçka që ne jemi kundër, sepse krijon një rrezik moral”, u përgjigj Bell. Ndërsa pritej që ministri të qartësonte disi projektin, as ai nuk dha detaje, por tha se “po vijon diskutimi me grupet e interesit, për të kuotuar se deri ku do të shtrihet amnistia, e më pas do merret vendimi, që gjithsesi kërkon angazhimin e plotë politik”.
#