E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkollat profesionale, tani me një ligj të veçantë

Takimi Pritet miratimi i Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve me 8 nivele

Një ligj i posaçëm për funksionimin e shkollave profesionale tashmë ka marrë formën e një drafti. Së shpejti ky dokument që pritet të tjetërsojë tërësisht këtë sistem shkollor, do të shkojë për miratim në Kuvendin e Shqipërisë. Një pohim të tillë e ka bërë dje ministri i Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj, në një takim që ka zhvilluar me grupin sektorial për arsimin profesional. “është përgatitur drafti i ligjit të ri për AFP dhe dërgimi i tij në Parlament për miratim së shpejti do të hapë rrugën për një sërë ndryshimesh të rëndësishme për ta çuar AFP më afër kërkesave të tregut dhe nevojave të shoqërisë”, tha Tafaj.

Sipas tij, në këtë kontekst është përgatitur dhe drafti i ndryshimeve në përbërjen dhe funksionimin e Këshillit Kombëtar të AFP, duke u dhënë një rol më të madh partnerëve socialë në propozimin e politikave zhvillimore të këtij arsimi.

Ndërkohë që si një arritje e rëndësishme është konsideruar edhe miratimi para disa ditësh në Parlament i ligjit për Kornizën Shqiptare të Kualifikimeve (Albanian Qualification Framework). Ky ligj krijon bazën institucionale për krijimin e një sistemi kombëtar të kualifikimeve me 8 nivele, që integron dhe krijon koherencë jo vetëm midis niveleve, por edhe midis kualifikimeve të përgjithshme, kualifikimeve profesionale dhe formimit profesional, ka shpjeguar ministri i Arsimit.

“Korniza Shqiptare e Kualifikimeve është në një linjë me Kornizën Europiane të Kualifikimeve, dhe nëpërmjet mekanizmit të akumulimit dhe transferimit të krediteve, krijon shanse për njohjen e certifikatave shqiptare edhe në kontekstin europian e më gjerë”, u shpreh Tafaj. Kjo do të ketë një impakt të dukshëm edhe në rritjen e mobilitetit të kualifikimeve dhe sidomos të punësimeve brenda dhe jashtë vendit.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›