“Amnistia”, premiera në Torino
Të shtunën më 29 tetor, në orën 19:00 në Torino, jepet premiera e filmit “Amnistia” e regjisorit Bujar Alimani, film që përfaqëson Shqipërinë në listën e vendeve që kërkojnë kandidimin për “Oskar” pas skualifikimit nga Akademia të filmit shqiptar “Falja e gjakut”, për arsye se filmi i Joshua Martson nuk ishte autentik sa duhej. Kështu, filmi “Amnistia” i Bujar Alimanit vjen me premierën e tij edhe në Itali. I vlerësuar me çmim në Festivalin e Berlinit, në Festivalin “Kinemaja Europiane” në Leçe, filmi do të prezantohet në Torino nga gazetari dhe dokumentaristi Roland Sejko, presidenti i AMNC-së, Vitorio Sclaverani dhe Paolo Asson, kritik arti. Ky i fundit është shprehur për filmin dhe regjisorin Bujar Alimani se “filmi ka një regji që s’ka të sharë, por edhe imazhe perfekte, dramë dhe aktrim të mirë, krijohet një klimë në rritje tensioni, dëshpërimi por edhe një shpresë e brishtë...dëshmia sesa të dhimbshme dhe tragjike janë ndryshimet e mëdha të historisë”. Në vitin 2011, filmi “Amnistia” e Bujar Alimanit ishte i pari film që u financua për realizimin e tij nga “Eurimages”, një fond ky i Këshillit të Europës.