E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vepra e Joklit botohet në shqip pas 100 vjetëve

“Studime për etimologji dhe fjalëformim shqip”, që konsiderohet si një prej veprave më të rëndësishme në këtë fushë, një shekull pas botimit të saj të parë në Vjenë, u botua dhe u promovua dje nga Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës

Libri “Studime për etimologji dhe fjalëformim shqip” i albanologut Norbert Jokli, ka parë dritën e botimit në gjuhën shqipe 100 vjet me vonesë. Një shekull më parë, ai ishte botuar vetëm në gjuhën gjermane. Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës ka sjellë në shqip dhe gjermanisht vëllimin e parë nga kjo vepër e albanologut Jokli, në të cilën autori ka inauguruar vështrimin etimologjik që merrte parasysh tersin e zhvillimit të leksikut të shqipes. Botimin e kësaj vepre, akademiku Kolec Topalli e konsideroi të një rëndësie të veçantë dhe me vlera të mëdha. Për këtë arsye, ai e vlerësoi interesimin dhe punën e Akademisë së Shkencave dhe Artit në Kosovë, duke e konkretizuar me emrat e gjuhëtarëve më të mëdhenj të dy shekujve të fundit. “Megjithëse Jokli nuk ishte më shumë se 34 vjeç kur shkroi këtë vepër, për objektin e saj, gjerësinë e trajtimit të materialit dhe metodën me të cilën punoi, ajo qëndron përkrah veprave të tjera të mëvonshme, duke e paraqitur atë që në fillimet e tij me pjekurinë, thellësinë dhe maturimin e një shkencëtari të mirëfilltë. Në kohën kur u botua kjo vepër ishin skicuar vijat kryesore të studimit historik të shqipes, si një gjuhë e familjes indoevropiane me një rrugë të veçantë zhvillimi. Por tezat e mësipërme kishin nevojë për mbështetje të reja, për argumentime më të plota, për studime më të thelluara. Këtë e bëri Jokli me gjuhëtarë të tjerë që punuan në të njëjtën kohë, me artikuj studimorë e vepra të plota, njëra nga të cilat është edhe kjo që po paraqitet sot”, - tha Topalli. Gjuhëtari Seit Mancaku falënderoi dhe përgëzoi Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës për nismën që ka ndërmarrë që prej disa vitesh për të sjellë në shqip dhe gjuhët përkatëse trashëgiminë albanologjike të së kaluarës dhe së sotmes, që na kanë lënë dhe vazhdojnë të sjellin ende studiues të shquar të gjuhës shqipe, historisë dhe kulturës shqiptare. “Botimi i kësaj trashëgimie albanologjike është jo vetëm një akt i vërtetë qytetarie për të shprehur nderimin dhe vlerësimin tonë për gjithë ata studiues që punuan me përkushtim dhe vunë në shërbim të gjuhës shqipe dhe kulturës shqiptare dijet dhe vetitë e tyre intelektuale për të ndriçuar probleme të rëndësishme të historisë së gjuhës shqipe dhe kulturës sonë, por është edhe një punë shumë e dobishme për të krijuar një fond themelor dijesh dhe arritjesh në një masë të domosdoshme, ku mund të mbështetet e të çohen përpara kërkimet e brezave të sotëm e të ardhshëm në fushën e shkencave albanologjike”, - tha Mancaku. Vepra “Studime për etimologjinë dhe fjalëformimin shqip” për herë të parë është botuar në Vjenë, në vitin 1911 dhe tani vjen në 100-vjetorin e botimit të saj të parë, përmes përkthimit që ia ka bërë në vitet e pesëdhjeta gjuhëtari i njohur shqiptar, Eqrem Çabej. Ndërsa për kryetarin e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Besim Bokshi, kjo vepër dhe përkthimet e tjera që janë botuar nga Akademia, u ofrojnë ndihmë studiuesve të rinj të shqipes, duke sjellë të përmbledhura trajtesat e albanologëve të publikuara nëpër revistat e kohës. “Sot, botimi dhe promovimi i këtij libri shqip e gjermanisht, në 100-vjetorin e publikimit të parë në gjuhën gjermane, kërkon një solemnitet, me të cilin edhe koha jonë i shpreh mirënjohje Norbert Joklit, që pjesën më të madhe të kohës së tij shkencore ia fali trajtimit të gjithanshëm të çështjes së shqipes, e që la në trashëgim gjithë atë lartësi të trajtimit shkencor të gjuhës sonë. Kjo mirënjohje do të fuqizohet me botimin e gjithë veprës së tij për shqipen”, - ka thënë Bokshi. Vepra “Studime për etimologji dhe fjalëformim shqip”, për herë të parë është botuar në vitin 1911. Albanologu Norbert Jokli lindi më 25 shkurt 1877 në Bisenz (Moravi Jugore), shumë herët u shpërngul në Vjenë, ku edhe vijoi shkollimin. Gjatë jetës së tij ka botuar dy vepra të veçanta: “Studien zur albanesi-schen Etymologie und ortbildung (1911) dhe Linguistisch-kulutrhistori-sche Untersuchungen aus dem Bereiche des Albanischen (1923. Më 1942-in, Jokli u vra nga nazistët në rrethana të paqarta.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›