E Diel, 1 Nëntor 2026

Amnistia, të dënuarit në burgun e Shënkollit dhe Peqinit në grevë urie

TIRANE - Vendimi i qeverisë, për amnisti për 2546 të dënuar, me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë, duket se ka ngjallur pakënaqësi tek të burgosurit e Shën-kollit, por jo vetëm. Dhjetëra persona që vuajnë dënimin në burgun e Peqinit, kanë shprehur gjithashtu kundërshtime për mënyrën e përzgjedhjes së atyre që përfitojnë nga amnistia. 

Mbi 600 të dënuar në burgun e Shënkollit prej dy ditësh janë futur në grevë urie. Ajo që fillimisht nisi si protestë për të drejtat e munguara në burg, si cilësia e ushqimit dhe mungesa e energjisë elektrike, tashmë po kthehet në një revoltë, kundër atyre që sipas qeverisë përfitojnë faljen. Të burgosurit në Shënkoll kërkojnë që Qeveria të rishohë vendimin për amnistinë, dhe të fusë në listë të gjithë të burgosurit dhe personat që mbahen në ambientet e paraburgimit. 

Sipas burimeve nga ky burg, edhe pas takimeve që drejtori, Valentin Miri ka bërë me të dënuarit, nuk është arritur një marrëveshje për të ndalur grevën e urisë. Po kështu, në burgun e Peqinit, një grup prej katër të dënuarish, kanë qenë fillimisht ata që kanë nisur grevën, por më pas u janë bashkuar edhe dhjetëra të burgosur të tjerë. Sipas tyre, amnistia për 100-vjetorin e Pavarësisë prek të burgosurit që pothuajse e kanë përfunduar dënimin, ndaj kërkojnë të rishikohet vendimi. 

Drejtori i këtij burgu, Dashamir Xhika, tha për "Gazetën Shqiptare", se të dënuarve u është bërë i qartë vendimi i qeverisë për amnistinë. Sipas vendimit, nga amnistia përfitojnë 290 persona që gjenden në sistemin e burgjeve, 928 të rritur dhe 452 të mitur që ndodhen nën mbikëqyrjen e Shërbimit të Provës dhe janë me masa alternative. Gjithashtu përfitojnë dhe 876 persona, të cilët janë në hetim për vepra penale, për të cilat Kodi Penal parashikon një dënim me burgim deri në dy vjet ose çdo lloj dënimi tjetër të lehtë. 

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›