E Diel, 1 Nëntor 2026

Amnistohen 20 milionë euro borxhe për 160 mijë makina

SHKRUAN: Blerina Hoxha 19-04-2011 13:18

Më shumë se 160 mijë automjete do të përfitojnë nga amnistia fiskale dhe prej saj pritet të çlirohen 2.5 miliardë lekë, ose 20 milionë euro. Bilancin në lidhje me efektet e pritshme të amnistisë fiskale i dha dje për mediat Arben Pinari, Drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit të Transportit Rrugor. Pinari u bën thirrje qytetarëve që të paguajnë sa më parë detyrimet e vitit 2011, me qëllim që të përfitojnë nga amnistia, për taksat e papaguara më parë. Zyrtari i lartë i transportit rrugor ka shpjeguar se, projektligjit të amnistisë i janë propozuar dhe dy nene të reja, që përfshijnë pikërisht faljen e detyrimeve të prapambetura dhe fshirjen e gjobave. Mirëpo, kusht për faljen e detyrimeve është pagimi i taksave për vitin 2011, e cila duhet të bëhet në fillim të çdo viti. Po ashtu, një tjetër problematikë, e cila do të marrë zgjidhje me amnistinë fiskale, janë pikërisht edhe gjobat që drejtuesit e automjetit nuk kanë paguar rregullisht. Drejtoria e Shërbimit të Transportit Rrugor ka vendosur për vitin 2010, rreth 52 milionë lekë gjoba, prej të cilave janë vjelur vetën 25 milionë lekë. Pjesa e mbetur e gjobave të pambledhura, rrjedhimisht do të amnistohet. Çdo gjobë e marrë deri në fund të vitit 2010, për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, do të falen duke pastruar kështu regjistrat e tejfryrë me gjoba të pa mbledhura të Policisë Rrugore. Dy llojet e taksave që paguhen një herë në vit nga drejtuesit e mjeteve të transportit janë taksa e qarkullimit vjetor (rreth 8 mijë lekë për automjetet) dhe taksa e regjistrimit të përvitshëm, që nis me 2400 lekë/vit. Për vitin 2010, rreth 250 mijë mjete transporti i kishin paguar detyrimet e tyre vjetore, si taksën e qarkullimit, ashtu dhe atë të regjistrimit të përvitshëm, duke i siguruar shtetit një të ardhur prej rreth 5 miliardë lekësh, ku peshën kryesore e mbart tarifa e qarkullimit. Megjithatë, drejtuesit e transportit rrugor kanë probleme dhe me gjobat që nuk derdhen rregullisht. Ministri i Financave, Ridvan Bode, ka deklaruar disa ditë më parë se, do të jenë pjesë e faljes të gjitha detyrimet e prapambetura dhe gjobat që kanë të bëjnë me taksat kombëtare dhe ato lokale. Këtu përfshihen, gjobat dhe detyrimet e tjera për makinat, taksat e pushtetit lokal, taksat për ushtrimin e veprimtarisë së lojërave të fatit, etj. Në rastin e makinave, qytetarët nuk do të jenë të detyruar të deklarojnë gjobat në mënyrë që ato të fshihen. Falja do të bëhet automatikisht nëpërmjet fshirjes së tyre nga regjistrat, duke ia hequr shoferëve si detyrim për t’u paguar. Ligji nuk do të mjaftohet vetëm me faljen e gjobave për makinat. Pjesë e faljes do të jenë të gjitha taksat dhe detyrimet e tjera, apo edhe gjobat për shkaqe të tjera të papaguara. Kjo nismë vjen pas përfshirjes në falje edhe të gjysmës së doganës dhe gjithë kamatëvonesat, nëse pronari paguan gjysmën e principalit të doganës. “Shtetasve të cilët kanë futur në territorin doganor të Republikës së Shqipërisë automjete dhe që nuk kanë paguar detyrimet ndaj administratës doganore, nëse paguajnë 50% të principalit të detyrimit ndaj kësaj administrate, u falen pjesa tjetër e principalit, së bashku me gjobat dhe kamatvonesat që do të paguanin”, përcakton ligji për amnistinë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›