Shkrimet në greqisht, fierakët në protestë
Fier Qytetarët fierakë kanë protestuar në sheshin qendror të qytetit, përballë godinës së teatrit “Bylis”, mesditën e së dielës kundër ngjarjeve të fundit në Himarë, parullave antishqiptare si dhe heshtjes së qeverisë shqiptare ndaj fenomenit të përsëritur të qarqeve të ndryshme antishqiptare. Me flamuj kombëtarë dhe pankarta ku dalloheshin parulla si “Shqipëria etnike”, “Rroftë Çamëria”, “Jo Përçarjes”, “Jo racizmit”, “Himara është Shqipëri” etj, protestuesit kanë kërkuar që partitë politike të ulin flamujt e tyre dhe të mbajnë lart flamujt kombëtarë si dhe çështjen e identitetit kombëtar. Në fjalën e tubuesve të ndryshëm, përfaqësues të Komitetit të mbrojtjes dhe zgjidhjes së çështjes kombëtarë, Partisë për Drejtësi , Integrim dhe Unitet, përfaqësues të Aleancës Kuq e Zi etj. u hodhën poshtë qëndrimet antishqiptare. Nimet Musaj, përfaqësuesi i PDIU, u ndal te përsëritja e qëndrimit antishqiptar i qarqeve greke shoviniste për Himarën. Ai e lidhi vendosjen e parullave antishqiptare dhe kundër Çamërisë si një vepër e mirëorganizuar e atyre që ëndërrojnë Vorio-Epirin dhe që duan të shuajnë çështjen mbarëkombëtare me emrin Çamëri.