E Shtunë, 31 Tetor 2026

An Taylor: “Shqipëria në BE? Nevojiten reforma

Ministrja për Mbrojtjen në Mbretërinë e Bashkuar kërkon luftë kundër korrupsionit. An Taylor: Nuk është një proces që ndodh brenda një nate. 

TIRANE-Sistemi gjyqësor, lufta kundër korrupsionit si dhe klima financiare duhet të përfshihen nga reforma, pasi janë këto fusha që do të bënin të mundur që Shqipëria të arrinte të gjitha kriteret që do të ishin të nevojshme për të qenë anëtarë në Bashkimin Europian. Ministrja e Shtetit për Mbrojtjen dhe Sigurinë Ndërkombëtare e Mbretërisë së Bashkuar, baronesha Uinfrid An Taylor, gjatë një interviste televizive ka vënë theksin tek detyrat që duhet të kryejë Shqipëria për të qenë anëtarë e Bashkimit Europian. “Nuk mendoj se anëtarësimi në BE është një proces që do të mund të ndodhë brenda një nate. Mendoj se ka ndryshime që ende duhet të kryhen. Këto ndryshime lidhen me sistemin gjyqësor, ndryshime në luftën kundër korrupsionit, ndryshime për klimën financiare, të cilat do të bënin të mundur që Shqipëria të arrinte të gjitha kriteret që do të ishin të nevojshme”, - u shpreh An Taylor. Ajo nënvizoi se, “Shqipëria ka nevojë të konsolidojë reformat që ka ndërmarrë dhe t’i çojë ato përpara, për të maksimalizuar potencialet e saj”. “Mendoj se i gjithë ky progres do të merret parasysh kur të mbërrijë momenti për anëtarësim në Bashkimin Europian”, - u shpreh An Taylor. Ministrja britanike nënvizon se për momentin, për Shqipërinë kanë një rëndësi të jashtëzakonshme zhvillmi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe në përputhje me standardet e kërkuara. Ajo shprehet se janë në dijeni të pretendimeve të ngritura për pajisjen e qytetarëve me karta, por nga ana tjetër kanë marrë siguri nga zyrtarët se ky proces nuk do të ketë asnjë problem. “Do ketë monitorues që do të vëzhgojnë këto zgjedhje dhe do të raportojnë për to. Mendoj se është e rëndësishme për Shqipërinë si vend dhe për Shqipërinë si anëtare e NATO-s, që këto zgjedhje të vlerësohen si të drejta dhe ecuria e tyre të jetë në mënyrën e duhur”, - u shpreh An Taylor. Sipas saj, do të jenë një numër i konsiderueshëm vëzhguesish ndërkombëtarë për të parë se ç’do të ndodhë, dhe kjo do të jetë një nga mënyrat ku njerëzit do të gjykojnë se sa progres ka bërë Shqipëria. “Këto zgjedhje do të jenë ekstremisht të rëndësishme. Demokracia është jashtëzakonisht e rëndësishme për ne. Ne kemi nevojë për veprime për të qenë të sigurt se zgjedhjet do të jenë të drejta”, - nënvizoi An Taylor. Ministrja britanike vlerësoi se anëtarësimi në NATO është shumë i rëndësishëm për Shqipërinë, është shumë i rëndësishëm për rajonin dhe është shumë i rëndësishëm edhe për vetë NATO-n. Por, An Taylor shprehet se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO nuk është fundi i procesit të reformimit për vendin tonë.
(s.g/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›