E Shtunë, 31 Tetor 2026

Anaidi: Ishte fitore morale, s’më interesojnë lekët

TIRANE-Anaidi u shpall fituesi i edicionit të gjashtë të “Big Brother”. Ai ishte një prej personazheve që mori vëmendjen e publikut që javët e para, duke u pozicionuar gjithmonë në qendër të diskutimeve dhe duke krijuar situata. Thotë se asnjëherë nuk është pozicionuar si lider i grupit në shoqëri, por në “Big Borther” u bë komandant dhe tregoi se kishte karakterin më të fortë. Në këtë intervistë, Anaidi rrëfen ditët si fitues, dhe planet për të ardhmen.
Si po ndihesh? E mblodhe veten nga ndodhitë e mëdha të ditëve të fundit?
Që ditën e parë. Që kur dola nga aty, i harrova të gjitha dhe po vazhdoj jetën normalisht. Ndihem shumë mirë.
Shokët çfarë të thanë?
Të gjithë pa përjashtim më pritën shumë mirë.
Lekët e fitores i more?
Jo, nuk i kam marrë akoma.
Kur do i marrësh?
Nuk e di. S’kam pyetur fare të them të drejtën.
Të erdhi keq që çmimi nuk ishte më 100 milionë, por vetëm 35?
Fare. Për mua ishte më shumë fitore morale se sa monetare. As nuk jam interesuar fare se kur do i marr, e sa do jenë. Domethënë e kam neglizhuar unë, e jo ata të stafit.
Po familjarët e tu, si reaguan?
E gjithë familja janë shumë të lumtur për mua.
Ti vetë je i kënaqur? Mendon se ja vlejti pjesëmarrja në “Big Brother”?
Padyshim që ja vlejti dhe jam shumë i kënaqur.
Për çfarë ja vlejti konkretisht?
Unë isha njëri ndër 18 konkurrentët. Fakti që arrita deri aty ku arrita, tregoi që kisha karakter më të fortë.
Po kujt kishe qëllim t’ia tregoje?
Vetes. S’kisha qenë ndonjëherë pjesë e një gare karakteresh në një “reality show”. Ishte eksperienca ime e parë. Pozicioni im në shoqëri është vënë re gjithmonë, qoftë në klasë apo në audicione, por unë kurrë nuk kam pretenduar të jem lideri apo të marr komandën e grupit. Gjithmonë kam marrë një pozicion që mund të mos ketë qenë më i miri, por unë prapë s’kam lëvizur. “Big Brother” ishte një garë, ku duhej patjetër të dilja komandant, në këtë rast fitues.
Kjo të dha adrenalinë, motivim?
Unë edhe tani pasi ka mbaruar mund të them që kjo eksperiencë ka ndikuar tërësisht pozitivisht tek unë.
Nuk evidentoheshe dot e të arrije aty ku doje në shoqëri, pa qenë nevoja të merrje pjesë në “Big Brother”?
Kjo ishte vetëm njëra nga format. Unë atje nuk kam dhënë 100% nga vetja ime. Unë në “Big Brother” kam qenë gjithë kohën një aktor i mirë. Aty çdokush luan një rol. Është një skenë ku unë jam ngjitur bashkë me 17 aktorë të tjerë. Çdokush mund të rrijë në atë skenë, vetëm për aq kohë sa të dijë që të bëjë show për publikun që sheh.
Çfarë do të thuash me “aktor” i mirë?
Dua të them që brenda asaj shtëpie kam bërë shumë gjëra që nuk do t’i kisha bërë dot kurrë në jetën reale. Jashtë nuk do t’i kisha kushtuar më asnjë lloj vëmendjeje apo rëndësie, disa njerëzve të cilët pasi i njihja shumë mirë kuptoja që rrugët tona ndaheshin në një pikë.
Edhe në raport me Joanën ke qenë aktor i mirë?
Marrëdhënia me Joanën ka qenë komplet ndryshe nga ajo me banorët e tjerë.
Mamaja jote ka ndikuar në vendimin e largimit nga Joana?
Çdo gjë që ka dalë në media lidhur me preferencat e familjes sime, e ka mbuluar një kushëri i imi, jo familjarët e mi.
Domethënë familja jote ishte dakord për lidhjen tënde me Joanën?
Nuk kanë pasur kohë ata të komentojnë mbi lidhjen time me Joanën.
A të thanë ata, që i pëlqen ose jo Joana?
Familja ime nuk i komenton absolutisht lidhjet e mia.
Po ajo vajza që është diskutuar për një lidhje me ty para hyrjes në “Big Brother”, kush është?
Ajo është një mikeshë e imja. Nuk është e dashura ime. Asnjëherë nuk ka qenë e dashura ime. Ne kemi shumë vite që njihemi bashkë. Ajo është një njeri shumë i dashur.
Pse nuk ja the Joanës gjërat përballë, por fole në emision?
Natën që ka mbaruar spektakli, i kam thënë që çdo gjë midis nesh do të funksiononte ndryshe. I thashë që do flisnim për t’i sqaruar të gjitha.
Cili ishte reagimi i saj?
Mbeti pak e impresionuar, por nga sjellja ime më vonë e kuptoi.
Ti nuk dëshiron të kesh më asnjë lloj kontakti me të?
Mund të jemi miq të mirë, por e dashura ime s’mund të jetë kurrsesi.
Ka një femër tjetër në jetën apo në mendjen tënde për momentin?
Ka shumë femra.
Je duke gjuajtur?
Jo, jam duke shijuar daljen nga shtëpia e “Big Brother”.
E prisje fitoren?
Po, e prisja.
Kujt ja kishe më shumë frikën, Ilirit apo Elonës?
Elonës. Ilirin kisha kohë që e kisha lënë mënjanë, dhe ndaj javët e fundit po merresha vetëm me Elonën.
Banorët e shtëpisë, tani i ke miq?
Duke përjashtuar pjesën që me disa prej tyre nuk më lidh asgjë, këto ditë për shembull më shumë e kam kaluar kohën me Olsenin, Xhimin, Riken, Elonën, Oltën, që janë në Tiranë.
Të marrin ata në telefon, apo i merr ti?
Jam unë ai që i mbledh në fakt, duke qenë se e njoh pak më mirë qytetin. Nuk është fituesi i këtij viti, ai djali që ecën me kokën lart dhe pret të gjithë t’i afrohen.
Tani që njerëzit ndalojnë e të përshëndesin të pëlqen? Të pëlqen që je i famshëm?
Nuk jam i famshëm. Jam një personazh televiziv, i cili është në vëmendje tani dhe do shuhem pak nga pak. Është çështje kohe. Më pëlqen që më njohin. Fakti që u kam lënë përshtypje të mira, absolutisht që më pëlqen.
Çfarë do bësh pasi të marrësh paratë që ke fituar?
Kam shumë gjëra për të bërë, por do ulem të mendoj dhe të përqendrohem tek më e mira.
Çfarë pune dëshiron të bësh?
Unë kam studiuar në degën e marrëdhënieve me publikun, dhe meqë rezultuan të mira, do përqendrohem vetëm te kjo. Pra kam dëshirë që të bëhem PR.

(Bluetooth/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›