Analistet greke kritikojne politiken antieuropiane
Ekonomistët grekë janë të shqetësuar për programet anti europiane të shpalosura nga politikanët grekë. Sipas tyre politikat kundër masave shtrënguese si kusht për daljen nga kriza nuk janë zgjidhja më e mirë për Greqinë. Koalicioni i së majtës radikale i Syrizës nuk mund të jetë varianti më i mirë për zhvillimin e qëndrueshme të vendit, thotë drejtori i përgjithshëm i Fondacionit për kërkimet Ekonomike dhe Industriale Yannis Stournaras, në një intervistë televizive.
“Për mua do të ishte një gabim i madh. Syriza mendon se jemi në gjendje të anulojmë përfundimisht marrëveshjet tona me Eurozonën, sidomos marrëveshjen e fundit që do t’i mundësojë Greqisë marrjen e huasë dhe në të njëjtën kohë edhe qëndrimin e saj brenda zonës Euro. Nuk besoj se ky kombinim është i mundur. Sigurisht jemi në gjendje të rinegociojmë disa pjesë të memorandumitt, por jo të heqim dorë përfundimisht apo ta braktisim, kjo do të ishte një gabim fatal”, thotë Stournaras.
Sipas ekonomistit Stournaras politikat shtrënguese dhe ekuilibri financiar janë ende mënyra më e mirë për Greqinë për të dalë nga kriza, por në të njëjtën kohë vendi ynë ka nevojë të shtojë investimet për të promovuar rritjen ekonomike, thotë ai.
“Parasëgjithash kemi ndihmën financiare të fondit europian për zhvillim, po ashtu mund të tërheqim investitorët privatë përmes programit të privatizimeve. Kështu që mendoj se këto dy mënyra janë shumë të rëndësishme për investimet në Greqi”, shtoi ai.
Ndërkohë me takimin e parë të presidentit francez Francois Hollande dhe kancelares gjermane Angela Merkel në Berlin, Europa po përgatitet për t’i bërë ndryshe llogaritë. Të dy liderët ndajnë parime të ndryshme se si do ta zgjidhin krizën e euros dhe takimi i tyre mund të ketë efekte të forta mbi të ardhmen e Europës dhe euros.
“Ajo që është në lojë është mbijetesa e zonës euro dhe si e tillë euro mund të zhduket. Dhe nëse euro del nga loja ka një rrezik për të gjithë BE, që edhe mund të shkrihetdhe kjo do të jetë një Europe e re që sipas mendimit tim nuk do të jetë e rehatshme”, u shpreh analisti politik, Hans Stark.
Hollande thotë se vetëm përmes inkurajimit të rritjes dhe investimeve mund të shpëtohet Europa, ndërkohë që Merkel këmbëngul në faktin se ekuilibrimi i bilanceve është përgjigja më e mirë duke kundërshtuar fort rinegocimin e paktit fiskal. Gjetja e një terreni të përbashkët mund të jetë i vështirë thotë analisti grek për ekonominë Tramezaigues.
“Është e vështirë të dish nëse ka pika të ndërmjetme, një motiv për të cilin mund të jeshë pessimist mbi atë se cfarë do të ndodhe. Jo vetëm për diferencat mbi qasjen e Hollande dhe Merkel, por më shumë për mënyrën se si do ta menaxhojnë daljen e Greqisë nga Eurozona”, vlerësoi Tramezaigues.