Skandal te ministria e Ekonomisë, KLSH: Koncesionet, dëmi financiar 1.8 mld lekë
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kryer një kontroll në Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe ka konstatuar shkelje që kanë çuar në dëm financiar ndaj shtetit në vlerën mbi 13 milionë euro. Skandali që publikua dje në media, shihet nga ekspertët si një abuzim i mirëfilltë me detyrat shtetërore për ti shërbyer taksapaguesve, kurse KLSH ka vendosur dërgim deri në hetim penal në Prokurori, shkarkime nga detyra dhe plot masa të tjera. Kontrolli i Lartë i Shtetit, përfundoi dhe miratoi këto ditë materialet e auditit të ushtruar në Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, lidhur me zbatimin e procedurave për dhënien e pronës publike me koncesion në fushën e bakrit, kromit dhe hidroenergjetikës, për periudhën kohore 01.01.2010 deri më 30.09.2011. Në auditimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Menaxhimit të Kontratave dhe strukturat vartëse që kanë të bëjnë direkt me to, përkatësisht; AKBN (Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore) dhe ATRAKO (Agjencia e Trajtimit të Koncesioneve), u konstatuan shkelje dhe mungesë e theksuar bashkëpunimi i tyre me METE dhe mosfunksionim i tyre sipas kërkesave të akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi që rregullojnë këto marrëdhënie. Në auditin e procedurave konkurruese të zbatuara nga punonjësit respektivë përgjegjës në METE, audituesit e KLSH kanë konstatuar një sërë mangësish proceduriale, duke filluar nga moskryerja e procedurës së negocimit të kontratave sipas ligjit, mosnënshkrimi i dokumenteve nga anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave (KVO) dhe deri në veprime fiktive dhe formale nga Njësia e Hartimit të Dokumenteve. Madje, në procedurat e negocimit, nuk është dokumentuar puna e grupit të negocimit me proces verbal apo dokumente të tjera të miratuara, çka ka sjellë si pasojë mospasqyrimin e saktë të punës së KVO dhe të çdo anëtari të tij, por dhe si janë mbrojtur interesat e shtetit dhe respektuar parimet e partneritetit me koncesionarët. Në disa procedura të përzgjedhjes së operatorëve ekonomik për dhënien e koncesioneve janë konstatuar vendosje të pa argumentuara dhe të tejzgjatura të afateve në kërkesat e vendosura nga Autoriteti Kontraktor (AK) për përfundimin e ndërtimit të objekteve, kjo e konstatuar shpesh në vepra me kapacitet e investim relativisht të vogël. Kjo ka bërë që për HEC-e me fuqi të vogël të instaluar e prodhues të vegjël, ndërtimi dhe vënia në shfrytëzim e tyre, të planifikohet për një periudhë kohore shumëvjeçare.