E Diel, 1 Nëntor 2026

Analiza e 6-mujorit të punës së Forcave të Armatosura, Nufi: Shqipëria rrit aftësitë ushtarake dhe kontributin në mbrojtjen kolektive

Forcat e Armatosura të Shqipërisë kanë zhvilluar analizën e punës për gjashtëmujorin e parë të këtij viti, ku në fokus kanë qenë rezultatet e arritura, gatishmëria operacionale dhe prioritetet për periudhën në vijim.

Analiza është zhvilluar në prani të Ministrit të Mbrojtjes, Ermal Nufi, Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të FA-së, gjenerallejtënant Arben Kingji, si dhe komandantëve e drejtuesve të strukturave të Forcave të Armatosura.

Gjatë analizës është vlerësuar realizimi i objektivave kryesore të gjashtëmujorit, ndërsa progres është evidentuar në fusha si rekrutimi, stërvitjet, operacionet, modernizimi i kapaciteteve ushtarake, infrastruktura dhe administrimi i burimeve.

Në fokus ka qenë edhe riorganizimi i strukturave, i cili synon përmirësimin e efektivitetit të komandimit dhe përdorimin më efikas të burimeve. Ndërkohë, bashkëpunimi me NATO-n, Shtetet e Bashkuara dhe partnerët rajonalë ka vijuar të luajë një rol të rëndësishëm në forcimin e përgatitjes dhe ndërveprueshmërisë së forcave shqiptare.

Një tjetër prioritet ka qenë modernizimi i kapaciteteve ushtarake, përmes pajisjes me sisteme të reja dhe zhvillimit të projekteve strategjike. Për periudhën e ardhshme, fokusi do të jetë integrimi i plotë operacional i këtyre kapaciteteve, përmes përgatitjes së personelit, stërvitjeve dhe zhvillimit të infrastrukturës.

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, tha se gjatë analizës së gjashtëmujorit u evidentuan rezultatet e arritura deri tani, por edhe prioritetet kryesore për zhvillimin e mëtejshëm të Forcave të Armatosura.

“Në analizën e punës të 6-mujorit të parë të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë evidentuam bashkërisht rezultatet e deritanishme dhe prioritetet kryesore të zhvillimit.

Jemi të kënaqur për progresin në rekrutim, stërvitjet, operacionet, modernizimin e kapaciteteve ushtarake, infrastrukturën dhe administrimin e burimeve; ndërsa bashkëpunimi me NATO-n, SHBA dhe partnerët rajonalë ka forcuar përgatitjen dhe ndërveprueshmërinë e forcave tona.

Plotësisht të fokusuar në gjysmën e dytë të këtij viti për rritjen e aftësive operacionale dhe forcimin e kontributit të Shqipërisë në mbrojtjen kolektive”, u shpreh Nufi.

Për gjysmën e dytë të vitit, objektivi kryesor mbetet rritja e mëtejshme e aftësive operacionale dhe forcimi i rolit të Shqipërisë në kuadër të mbrojtjes kolektive.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›