Analiza rogneriane dhe shqiptarët e mençur!
Në sallonet televizive të tejmbushura me led ëall, kamera HD, me kostume fort të shndritshme dhe ku vetëm shampanja dhe havjari mungonin, janë qarë hallet e shoqërisë shqiptare dhe është bërë parashikimi për këto zgjedhje!
Të gjithë ne besuam që analiza e çunave të shkathët të Rognerit ishte ajo që po na zbërthente situatën reale të popullit shqiptar (fundja prandaj janë analistë)! Qeshnin çunat, bënin batuta, i kthenin vizitat njëri-tjetrit, karamoheshin me gjasme, analizonin frojdianisht liderët, garonin me zbërthime matematikore, shifnin filxhan, bënin thashetheme etj, etj, dhe përfundimi ishte gjithmonë i njëjtë: Këto zgjedhje janë thjesht një garë alternativash si në çdo vend europian, janë garë kampesh ku fituesi do ndahet për hiçpak gjë! Ska mllef, ska fryme, ska lodhje, ska varfëri… Thjesht do vendoset për hiçpak gjë…
Menduan se gënjyen gjithë dynjanë që shqiptarët janë thjesht dy kampe, dy llogore pa identitet, pa palcë kurrizore, qenie të verbuara që besojnë çtu thuash!
Madje bindën dhe politikanët më dinakë që në studiot e TV-së vendoseshin fatet e tyre! Skishte çju duhej populli, skishin pse bënin këpucët pis nëpër fshatra të takonin të palarët, të djersiturit e të mbaruarit, vendosej për hiçpak gjë… Ca batuta të forta për filanin dhe fistekun dhe voila!
U kry fitorja!
Por përtej Rognerit u bëkërka nami! Gati 1 milion shqiptarë ndëshkuan një model drejtimi sepse janë të varfër, të dëshpëruar, të mllefosur, të papërfaqësuar, të nëpërkëmbur, të lodhur, të tallur, të parë me përçmim!
Nuk mendoj se shqiptarët ndëshkuan vetëm Sali Berishën, por një sistem të tërë arrogancën e këtyre 21 viteve të fundit të politikës shqiptare, që ka ikur nga realiteti i prekshëm dhe i dhimbshëm shqiptar!
Politikanët shqiptarë ishin ngjitur lart, hipur mbi re, gostisnin, harbonin, por shqiptarët e vegjël, të heshtur, të strukur e të dërrmuar me atë litarin e hollë e të padukshëm që quhet votë, i shkundën fort të majtë e të djathtë! Ata që ikën, e pësuan keq, dhe ata që erdhën, e kuptuan se çfarë i pret po të tentojnë të rikthehen atje sipër!
Dhe këtë nuk e kuptoi apo paralajmëroi askush! Qindra orë televizive, dhjetëra emisione politike në çdo ekran, dhjetëra kg pudër për grim, qindra litra verë, uiski, konjak, coctail-e të harxhuara nëpër pub-e me analiza të lodhshme nën tingujt e house-it dhe askush nga njerëzit e mençur nuk na tha çfarë bëhej aty poshtë tek të vdekshmit e thjeshtë…
Shqiptarët për ta ishin statistikë!
Ama kishte një shqetësim madhor që prishte gjumin e tyre, i zgjonte me ankthe natën, i rraskapiste, i çudiste çunat e Rognerit dhe që pa frikë mund ta quanin hall kombëtar:
Po Berisha pse nuk shkoi tek Fevziu?
