E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryengritje në gotë të ujit!

Mero Baze 2Nga Mero Baze

Pas referendumit kombëtar kundër Sali Berishës më 23 qershor, ka një tendencë qesharake për të bërë sërish llogari dhe projekte mbi mënyrën se si mund të mbijetojë berishizmi në politikën shqiptare. Ka dy histori naive që qarkullojnë me shpejtësi nga njerëz të dëshpëruar që kanë humbur pushtetin, që i ngjajnë kryengritjes në një gotë uji.

E para ka të bëjë me idenë naive, që edhe pse populli i ka dhënë një shumicë të cilësuar opozitës, ata bëjnë llogari me gishta për mandate, dhe e dyta, megjithëse Partia Demokratike nën drejtimin e Familjes Berisha është ndëshkuar në mënyrë poshtëruese nga shqiptarët, shpresojnë ta mbajnë në këmbë sërish me ndonjë ogiç të Familjes.

Sa i përket pikës së parë është fyese ta diskutosh. Opozita ka marrë së paku 84 mandate, të cilat i imponojnë asaj jo vetëm një qeverisje serioze dhe reforma rrënjësore, por dhe një detyrim gati kushtetues për të rithemeluar Republikën e Re, duke retushuar ndryshimet kushtetuese dhe duke spastruar gjithë institucionet kushtetuese nga berishizmi. Për këto ndryshime nevojiten 84 vota, që fitimtarët i kanë, por unë shpresoj se do të mund të bëhen deri në 100 vota, përfshi dhe partitë e tjera të vogla të së djathtës, të cilat kanë qenë kundër ndryshimeve kushtuese.

Presidenti i ri i Republikës duhet të zgjidhet nga populli dhe duhet të ribëjë një reformë të thellë në sistemin e drejtësisë, gjykata dhe prokurori, për të shpëtuar rrënimin e vendit nga berishizmi i çimentuar në këto institucione. Bujar Nishani duhet konsideruar president në detyrë, që ose duhet të firmosë nevojat e pushtetit të ri për deberishizimin e institucioneve, ose duhet të dalë në KEMP, që tia bëjë më të lehtë fitimtarëve punën derisa në ndryshimet kushtetuese.

Ajo që ka nevojë Shqipëria është një konsensus sa më i madh në parlament për Republikën e Re, dhe një spastrim në rrënjë i çdo gjurme të berishizmit në institucionet kushtetuese të vendit.

Skenari i dytë naiv që po dëgjoj është ai i të ardhmes së Partisë Demokratike. Po dëgjoj parazitë kafenesh që bëjnë plane se si do ikë Topalli, si do vijë Luli, si do ikë Olldashi, si do vijë Qukapi, si do ikë Bode, si do vijë Argita etj. Është një moment shumë i rëndësishëm kur njerëzit në Partinë Demokratike duhet të ndalin fantazitë, të kthjellohen dhe ti thonë vetes me zë të lartë që kanë humbur dhe kanë shkatërruar Partinë Demokratike. Që kjo parti të ringrihet dhe të bëhet konkurruese, duhet të bëhet parti demokratike në atë shkallë sa ti pranojë berishistët si anëtarë, por kurrsesi në drejtim të partisë. Ajo parti ka konsumuar një cikël historik si parti e një njeriu dhe një Familje dhe është ndëshkuar përfundimisht nga shqiptarët për këtë shkak. Çdo përpjekje për ta mbajtur atë parti me dhëndurë brenda në familjen Berisha, është një shkatërrim përfundimtar i të ardhmes së saj dhe një shërbim i paketuar që i bëjnë së majtës, e cila nëse ndodh kjo, do të qëndrojë gjatë në pushtet. Por më katastrofike mbi gjithçka duket skenari që Lulëzim Basha të bëhet pasardhës i Sali Berishës. Kjo përveçse mbart gjithë problemet që thashë më sipër, shton faktin se opozita e ardhshme të ketë në krye të saj një njeri që do të jetë peng i pushtetit si vrasës dhe hajdut. Ky njeri me një dosje të gatshme për burg në prokurori dhe një gjyq të pakryer me procedurë, dhe me një dosje të re që do ti hapet për vrasjet e 21 Janarit, do të jetë kukulla më e keqpërdorur në duart e pushtetit të ri si lider opozite, të cilin Edi Rama mund ta trajtojë si drejtor gjelbërimi në Tiranë.

I kuptoj ithtarët e Familjes Berisha, rojet, shoferët, kamerierët e saj në politikë, i kuptoj tenderaxhinjtë dhe hajdutët e administratës së tij që u kujton pushtetin kjo figurë, por Shqipëria ka nevojë për opozitë dhe opozita e re ka nevojë për një lider të ri, të lirë, të pakorruptuar dhe të pamarrë peng nga pushteti. Lulëzim Basha dhe çdo figurinë e Familjes Berisha do të jenë kukulla në duart e një pushteti, i cili ka një përvojë të hidhur se si është tentuar të kapet dhe blihet opozita në këtë vend nga Sali Berisha. Kush do që Partia Demokratike të mos vijë më kurrë në pushtet, ka vetëm një zgjidhje, tia japë opozitën një njeriu- peng, që ka vrarë dhe vjedhur dhe që mund ta komandojë dhe shoferi i Ilir Metës. Njoh dy njerëz që urojnë që në krye të opozitës të jetë ky njeri, ata janë Edi Rama dhe Ilir Meta. Ata nuk kanë zgjidhje më të mirë se sa një njeri peng si kundërshtar. Por Shqipëria ka nevojë të rithemelojë një sistem vlerash dhe një riciklim plehrash. Njerëz, mundohuni të kuptoni që keni humbur dhe që Shqipëria nuk u riciklon. Pastaj vendosni çdo bëni me veten, se shqiptarët e treguan se dinë çfarë bëjnë më 23 qershor.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›